TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Maj 2026, 17:25

Eric Wendt mesazh politikës në Tiranë: Mbështetje totale SPAK-ut, nuk do të ketë të paprekshëm!

Shkruar nga Pamfleti
Eric Wendt mesazh politikës në Tiranë: Mbështetje totale
I propozuari për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë, Eric Wendt

I nominuari për ambasador, Wendt u zotua se nëse konfirmohet në detyrë, do të angazhohet plotësisht në mbështetjen e punës së SPAK-ut...

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe rëndësia e saj thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë, u bënë temë qendrore diskutimi gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Senatorja, Jeanne Shaheen e përshkroi SPAK-un si një institucion kyç në kuadër të ambicieve të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se kjo strukturë ka qenë shumë e suksesshme në luftimin e organizatave kriminale transnacionale dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Senatorja e quajti atë një "shembull të shkëlqyer" të mënyrës se si ndihma e huaj amerikane ka mbështetur ruajtjen e demokracisë dhe ka përmirësuar klimën e investimeve në Shqipëri.

Në këtë kontekst, senatorja pyeti të propozuarin për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë, Eric Wendt për Prokurorinë e Posaçme SPAK dhe planet e DASH për këtë institucion.

Në përgjigjen e tij, i nominuari për ambasador, Wendt u zotua se nëse konfirmohet në detyrë, do të angazhohet plotësisht në mbështetjen e punës së SPAK-ut, duke i dërguar një mesazh të qartë politikës në Tiranë se nuk do të ketë të paprekshëm. Ai theksoi se prokurorët e SPAK i nënshtrohen një procesi verifikimi shumë të kujdesshëm, përfshirë testin e poligrafit, dhe mbikëqyren nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), ku marrin pjesë përfaqësues evropianë dhe amerikanë.

Gjenerali përmendi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e pandërprerë të informacionit mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane në Tiranë, si Departamenti i Drejtësisë, FBI dhe DEA. Ky bashkëpunim, sipas tij, ka sjellë rezultate konkrete, duke çuar në ndjekje penale kundër elementëve kriminalë në SHBA dhe në bllokimin e një ngarkese multi-tonëshe kokaine me origjinë nga Paraguai.

I nominuari për ambasador deklaroi se puna e SPAK-ut është kritike dhe do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi transparent dhe të barabartë për bizneset amerikane që duan të investojnë në Shqipëri, duke forcuar zbatimin e ligjit dhe transparencën në tendera.


Pjesë nga pyetjet në Komision:

Senatorja Jeanne Shaheen: Gjeneral Went. Siç e thashë, jam një mbështetës i madh i partneritetit që Shtetet e Bashkuara kanë pasur me Shqipërinë. Kryeministri Rama më duket një figurë shumë interesante. Dhe një nga gjërat që më inkurajon është se, si një burrë i gjatë edhe ju vetë, do të jeni sy më sy me Kryeministrin Rama. Kryeministri Rama ka atë që ai e quan “Klubi i Burrave të Gjatë”. Kështu që më vjen mirë që do të mund t’i bashkoheni atij në këtë grup dhe mendoj se duhet ta ndani këtë me të nëse konfirmoheni dhe merrni detyrën në terren. Një nga gjërat që mendoj se duhet të vazhdojmë të bëjmë është të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për reforma, të cilat janë pjesë e ambicieve të saj për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ata kanë krijuar një strukturë kundër korrupsionit, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ose SPAK, siç quhet. Besoj kështu shqiptohet. Dhe ka qenë shumë e suksesshme në luftën kundër organizatave kriminale ndërkombëtare dhe korrupsionit në nivele të larta. Mendoj se është një shembull i shkëlqyer i asaj që ndihma e huaj amerikane ka mundur të mbështesë për të mbrojtur demokracinë e Shqipërisë dhe investimet në vend. A mund të flisni pak, nga këndvështrimi juaj, për rolin që mund të luajë një institucion i tillë kundër korrupsionit në mbështetjen e klimës së investimeve në Shqipëri?

Eric Wendt: Faleminderit, senatore, për këtë pyetje shumë të rëndësishme. Dhe para se të hyj në thelb, nëse konfirmohem, do ta kem parasysh të diskutoj për “Klubin e Burrave të Gjatë” në Shqipëri. SPAK-u, nga gjithçka që kam lexuar dhe nga vizitat e mia të mëparshme në Shqipëri — edhe pse nuk kam pasur kontakte direkte me ta, pasi kam bashkëpunuar më shumë me ushtrinë dhe qytetarët e zakonshëm — rezulton të jetë një institucion shumë i vlefshëm. Ka qenë apolitik dhe i pavarur. Prokurorët që bëhen pjesë e SPAK-ut kalojnë një proces shumë të kujdesshëm verifikimi, që përfshin edhe testin me poligraf. Ata mbikëqyren nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ku përfshihen europianë dhe amerikanë.

Ata kanë organin e tyre hetimor përmes Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH-së. Kanë gjithashtu Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatat speciale. Të gjitha këto janë të përcaktuara në nenin 148 të Kushtetutës së Shqipërisë.

Prandaj, nëse konfirmohem, mund të angazhohem plotësisht për të mbështetur vazhdimin e funksionimit të tyre të pavarur dhe apolitik. Ju përmendët gjithashtu organizatat kriminale ndërkombëtare kundër të cilave ata po veprojnë. Nga gjithçka që kam lexuar, puna e tyre ka qenë jashtëzakonisht e vlefshme. Shkëmbimi i informacionit me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit në Tiranë, me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe DEA-n, ka qenë i pandërprerë dhe transparent.

Më është thënë, dhe këtë e kam lexuar gjithashtu, se kjo ka çuar në procedime penale kundër elementëve kriminalë në Shtetet e Bashkuara dhe qytete amerikane, si edhe së fundmi në sekuestrimin e disa tonëve kokainë që vinte nga Paraguaji.

Pra, për ta përmbledhur, mendoj se puna e tyre në këto fusha është thelbësore, për sa kohë që mbeten apolitikë dhe të pavarur. Gjithashtu besoj se kjo ndikon pozitivisht në mundësitë e biznesit amerikan, në zbatimin e ligjit për kontratat, në sigurinë dhe transparencën e tenderëve, si dhe ndihmon në krijimin e një fushe loje më të barabartë për bizneset amerikane në Shqipëri.

 

wendt ambasador

1 Komente

  1. ?
    ?

    Mbështetjen për Spakun? Ok. Por Beridha e quan organizatë kriminale. Meta e quan politikisht të kapur, madje e tallte i thoshte Dum Duman e se i binte më të fortit. Rama nuk i lëshoi imunitetin Ballukut, pra mbrojti korrupsionin me votë në parlament. Tani Rama dhr Saliu votuan rezolutën për integrimin në BE, një letër bakalli e votuar nga këta që s'njohin drejtësinë e redhe janë autokratë në partitë përkatëse. Pra sii bëhet do pyetur ky Wendt????? Se këtu në Shqipëri bëhet një teatër i madh politik gënjeshtarësh dhe hajdutësh politik që vetëm drejtësia i vë hjlrat në vend. Përndryshe këta do vazhdojnë batërdinë.

    Lini një Përgjigje