TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Maj 2026, 16:42

Nga korrupsioni te kartelet e drogës, Eric Wendt zbulon prioritetet në Senat: Do ta bëjmë Shqipërinë më të sigurt

Shkruar nga Pamfleti
Nga korrupsioni te kartelet e drogës, Eric Wendt zbulon prioritetet në
Eric Wendt duke raportuar në Senat

Gjenerali në pension Eric Wendt para Senatit amerikan: Do të mbështesim Shqipërinë në siguri, mbrojtje dhe zhvillim ekonomik

Kandidati i presidentit Donald Trump për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, gjenerali në pension Eric Wendt, doli para Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, ku prezantoi prioritetet e tij.

Në fjalën e tij, Wendt vlerësoi marrëdhëniet me Shqipërinë dhe bashkëpunimin me forcat shqiptare gjatë karrierës së tij ushtarake, duke i cilësuar trupat speciale shqiptare si shembull të “shpirtit luftarak të Skënderbeut”.

Si komandant i forcave speciale të NATO-s, kam punuar drejtpërdrejt me trupat speciale shqiptare në terren në Shqipëri dhe Afganistan. Kam parë nga afër profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre. Forcat speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit kombëtar Skënderbeu. Edhe populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”, deklaroi Wendt para senatorëve amerikanë.

Ai theksoi se prioriteti i tij kryesor do të jetë mbrojtja e interesave amerikane dhe forcimi i bashkëpunimit me Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nëse konfirmohem, prioritetet e mia do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-ve. Mbështetja e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet latino-amerikane do ta bëjë më të sigurt jo vetëm Shqipërinë, por edhe Amerikën”, u shpreh ai.

Wendt foli edhe për rëndësinë e rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë në kuadër të NATO-s, duke përmendur objektivin për rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Do të punojmë ngushtë me Shqipërinë për të mbështetur angazhimet e samitit të NATO-s në Hagë për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Gjithashtu, do të mbështesim rritjen e kapaciteteve të sigurisë kibernetike dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme ushtarake”, deklaroi kandidati për ambasador.

Në dëshminë e tij, ai ndaloi edhe te klima ekonomike dhe investimet amerikane në Shqipëri, duke kërkuar më shumë garanci për bizneset amerikane.

Ndërsa sektorët e inteligjencës artificiale, energjisë, infrastrukturës dhe minierave në Shqipëri zhvillohen, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të përballen me një klimë të drejtë ligjore dhe kontraktuale. Ne duam që prosperiteti ekonomik të jetë në interes të të dy vendeve”, tha Wendt.

Në përfundim të fjalës së tij, gjenerali në pension u shpreh se pret të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet shqiptare dhe Kongresin amerikan për forcimin e partneritetit mes dy vendeve.

Deklarata e plotë

Faleminderit zoti kryetar dhe anëtarë të nderuar të komisionit. Kam pasur privilegjin t’i shërbej Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ushtarak aktiv. Kam kaluar katër vite e gjysmë në këmbësori dhe 30 vite si pjesë e forcave speciale “Green Berets”. Gjatë kësaj periudhe kam shërbyer për dy vite pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërsa drejtoja një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë i SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Në atë detyrë kam operuar çdo ditë si pjesë e Ambasadës Amerikane në Jerusalem, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari Amerikan i Shtetit.

Pas daljes në pension nga shërbimi ushtarak, kam pasur mundësinë të jap mësim për komandim dhe lidership në universitetin ku jam diplomuar, në Naval Postgraduate School në Monterey të Kalifornisë.

Sot, bashkëshortja ime ndodhet në Okinawa të Japonisë me vajzën tonë, dhëndrin tonë që shërben si kapiten në Forcat Ajrore Amerikane dhe mbesën tonë, për t’u kujdesur për një tjetër mbesë që sapo ka lindur. Djali ynë, toger i parë në Ushtrinë Amerikane dhe pjesë e Divizionit të 82-të Airborne, ndodhet sot këtu pas meje. Ai dhe bashkëshortja e tij i shërbejnë vendit në Fort Bragg, Karolina e Veriut.

Ne jemi një familje që e duam Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi mirënjohës për mundësinë për t’i shërbyer këtij vendi të jashtëzakonshëm.

Si komandant i forcave speciale të NATO-s, trupat speciale shqiptare ishin pjesë e komandës sime dhe kam punuar me to në terren në Shqipëri. Në Afganistan kam shërbyer si zëvendëskomandant i një komande rajonale ku përfshiheshin edhe trupat shqiptare. Kam konstatuar se forcat speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeu. Ndërsa vetë populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës.

Nëse konfirmohem në këtë detyrë, prioritetet e mia kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-ve. Në ambasadë do të ndjekim katër linja kryesore veprimi për të zhvilluar më tej planin e Ambasadës Amerikane në Shqipëri.

Linja e parë do të fokusohet te mënyrat për ta bërë Amerikën më të sigurt. Mbështetja ndaj Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet latino-amerikane do të ndihmojë që si Amerika, ashtu edhe Shqipëria të jenë më të sigurta.

Së dyti, do të punojmë për ta bërë Amerikën më të mbrojtur. Këto hapa do të ndihmojnë edhe sigurinë e Shqipërisë. Do të mbështes përparimin e Shqipërisë drejt angazhimeve të Samitit të NATO-s në Hagë në vitin 2025, për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Gjithashtu do të mbështesim forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike dhe nisma të përbashkëta në fusha të ndryshme ushtarake.

Së treti, fokusi ynë do të jetë prosperiteti ekonomik. Këto përpjekje do të ndihmojnë njëkohësisht edhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ndërsa sektorët e inteligjencës artificiale, energjisë, infrastrukturës, minierave dhe sektorë të tjerë zhvillohen në Shqipëri, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të kenë një klimë të drejtë ligjore dhe kontraktuale.

Së katërti, fokusi ynë do të jetë vetë ambasada dhe njerëzit që punojnë aty. Një nga elementët kryesorë që unë e quaj ‘faktori njerëzor’ do të synojë të përdorë mënyra standarde dhe kreative për t’u kujdesur për pjesën më të rëndësishme të ambasadës: njerëzit e saj, si në aspektin profesional ashtu edhe atë personal.

Në përfundim, nëse konfirmohem, pres me padurim të bashkëpunoj me anëtarët e këtij komisioni dhe me partnerët tanë në Shqipëri për të arritur këto objektiva të rëndësishme. Jam i gatshëm t’u përgjigjem pyetjeve tuaja.

wend senat ambasador

Lini një Përgjigje