Gjatë seancës në Senatin amerikan për kandidatin e Donald Trump për ambasador në Shqipëri, senatori Chris Murphy ngriti shqetësime për investimet dhe interesat e lidhura me familjen Trump në Ballkan. Ai deklaroi se konsulentë të afërt me presidentin amerikan po fitojnë miliona dollarë nga opozita shqiptare, ndërsa paralajmëroi se ambasadat amerikane nuk duhet të përdoren për favore biznesi apo interesa private….
Investimet dhe interesat e lidhura me familjen Trump në Ballkan janë kthyer në pjesë të debatit në Senatin amerikan gjatë seancës dëgjimore për kandidatin për ambasador të SHBA-ve në Shqipëri, gjeneralin në pension Eric Wendt.
Senatori demokrat Chris Murphy ngriti shqetësime për atë që e cilësoi si përdorim të afërsisë me pushtetin nga familja Trump dhe aleatë të presidentit për të përfituar ekonomikisht në rajon, duke përmendur drejtpërdrejt edhe Shqipërinë.
“Po shohim një listë gjithnjë e më shqetësuese rastesh në Ballkan ku familja Trump dhe aleatë politikë të presidentit po përdorin afërsinë me pushtetin për t’u pasuruar. Ka një histori në zhvillim edhe në Shqipëri, ku disa konsulentë politikë të presidentit po fitojnë miliona dollarë duke këshilluar opozitën”, deklaroi Murphy gjatë seancës në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë.
Senatori amerikan përmendi gjithashtu projekte të lidhura me emrin Trump në rajon, përfshirë planin për ndërtimin e një hoteli në Beograd dhe investime në sektorin energjetik nga persona të afërt me presidentin amerikan.
Murphy kërkoi garanci nga kandidati për ambasador që ambasada amerikane në Tiranë të mos përdoret për të favorizuar interesa private apo biznese të lidhura me presidentin.
“Dua një angazhim personal nga ju që nuk do të përfshiheni në facilitimin e bizneseve që nuk janë në interes të SHBA-ve, por në interes të njerëzve pranë presidentit. Ambasada jonë në Shqipëri duhet të luftojë korrupsionin, jo ta ndihmojë atë”, u shpreh senatori demokrat.
Nga ana tjetër, Eric Wendt deklaroi se nuk kishte dijeni për investime personale të familjes Trump në Shqipëri, por theksoi se si ambasador do të trajtojë të gjitha bizneset amerikane në mënyrë të barabartë.
“Detyra ime si ambasador i SHBA-ve është të mbështes bizneset amerikane. Të gjitha bizneset duhet të kenë trajtim të barabartë, pa favore apo diskriminim bazuar te individë të caktuar. Dua të sigurohem që të respektohet shteti ligjor dhe të ketë një terren të barabartë për të gjithë”, deklaroi Wendt.
Ai vlerësoi gjithashtu punën e SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
“SPAK, nga sa kam lexuar, ka qenë shumë efektiv në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pres të jem në terren për të kuptuar më mirë situatën”, tha kandidati për ambasador.
Deklaratat në Senat vijnë në një moment kur marrëdhëniet politike dhe lobimet ndërkombëtare të opozitës shqiptare në SHBA kanë qenë pjesë e debatit publik në Tiranë.
Debati i plotë
Chris Murphy: Faleminderit shumë, zoti kryetar. Gjeneral Wendt, në rajonin e Ballkanit po shohim një listë gjithnjë e më shqetësuese rastesh ku familja Trump dhe aleatë politikë të presidentit po përpiqen të përdorin afërsinë me pushtetin për t’u pasuruar. Është rasti i hotelit Trump që planifikohej të ndërtohej në Beograd, projekt që u përfshi në një hetim të madh korrupsioni për leje që dyshohet se nuk duhej të ishin dhënë. Ka gjithashtu rastin e aleatit të Trump, Michael Flynn, dhe avokatit personal të fushatës së tij, të cilët morën miratim për ndërtimin e një gazsjellësi me vlerë miliona dollarë në rajon, ndonëse nuk kishin asnjë eksperiencë në infrastrukturën energjetike.
Po zhvillohet edhe një histori në Shqipëri, ku disa konsulentë politikë të presidentit po fitojnë miliona dollarë duke këshilluar opozitën. Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por unë shqetësohem se diplomatëve tanë në rajon mund t’u kërkohet të lehtësojnë kontrata që nuk janë në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara, por që vendosin para në xhepat e vetë Trump, familjes dhe miqve të tij.
Dua një angazhim personal nga ju që nuk do të përfshiheni në facilitimin e bizneseve që nuk janë në interes të SHBA-ve, por në interes të njerëzve pranë presidentit. Gjithashtu dua angazhimin tuaj se do të vazhdoni përpjekjet tona të kahershme për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Shqipëria është një mike e madhe e SHBA-ve, por ende ka nevojë për progres dhe ambasada jonë duhet të luftojë korrupsionin, jo ta ndihmojë atë.
Eric Wendt: Faleminderit senator për pyetjen. Nuk jam i njohur me investime personale të familjes Trump në Shqipëri, por për çdo pyetje që lidhet me ndërveprimet e tyre personale do t’ju referoja vetë atyre. Detyra ime si ambasador i SHBA-ve është të mbështes bizneset amerikane. Nëse ato zhvillojnë aktivitet në Shqipëri, për mua të gjitha bizneset amerikane janë të barabarta dhe nuk duhet të kenë trajtim preferencial apo diskriminues bazuar te individë të caktuar.
Detyra ime është të sigurohem që gjërat të bëhen në mënyrën e duhur, të respektohet shteti ligjor dhe të ketë një terren të barabartë për të gjithë. Sa i përket korrupsionit, unë mendoj se SPAK, struktura speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nga sa kam lexuar, ka qenë shumë efektive. Pres me interes të jem në terren për të kuptuar realisht çfarë po funksionon dhe çfarë jo.
Chris Murphy: Mendoj se fraza që përdorët, ‘të sigurojmë një terren të barabartë’, është gjëja më e rëndësishme. Sepse aktualisht nuk duket se terreni është i barabartë. Duket sikur nëse je mik i presidentit, përfiton avantazhe edhe nga ambasada për të shtyrë përpara marrëveshje biznesi. Natyrisht që detyra juaj është të mbroni interesat amerikane, por ne duam të sigurohemi që çdo biznes amerikan, jo vetëm ata që kanë lidhje me presidentin, të ketë mundësi të bëjë biznes në Ballkan.
Eric Wendt: Faleminderit senator. Ju jap angazhimin tim se do të mbështes në mënyrë të barabartë të gjitha bizneset amerikane.
Lini një Përgjigje