
Me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës, Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka publikuar një mesazh për të nderuar të gjithë ata që ndërtuan familjen e bashkuar evropiane.
Kreu i shtetit thekson se projekti evropian përfaqëson paqen, lirinë, demokracinë dhe solidaritetin mes kombeve, ndërsa nderon figurat që kontribuuan në krijimin e tij.
“Ne festojmë Ditën e Evropës dhe nderojmë të gjithë ata që bënë realitet projektin e Bashkimit Evropian”, shprehet Begaj në reagimin e tij.
Presidenti ndalet edhe te procesi i integrimit të vendit, duke deklaruar se Shqipëria është më pranë se kurrë realizimit të objektivit për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
“Shqipëria është sot më afër se kurrë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, shkruan ai.
Sipas Begajt, Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e saj në projektin evropian përmes energjisë dhe vlerave që përfaqëson.
Dita e Evropës lidhet me deklaratën historike të ish-ministrit francez të Jashtëm Robert Schuman, e konsideruar si hapi i parë drejt krijimit të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale uroi qytetarët në Ditën e Evropës.
“Në këtë Ditë të Europës, ku Shqipëria është më afër se kurrë familjes europiane, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkroi Rama.
Dita e 9 Majit i atribuohet formimit të Bashkimit Evropian nga 6 shtetet e para themeluese, Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Franca.
Lini një Përgjigje