Nëse Partia Demokratike do të na ishte bashkuar në protetën e janarit, Edi Rama nuk do të ishte më Kryeministër. Kështu u shpreh Adriatik Lapaj, kreu i “Shqipëria Bëhet”, duke shprehur kritika në drejtim të mënyrës se si PD dhe lidershipi i saj vepruan gjatë kohës që protestohej para Kryeministrisë nga aktivistët e forcës politike që ai drejton.
Në një intervistë për News24, Lapaj u shpreh se kjo nuk ndodhi për shkak të rezervave që kishin disa individë brenda PD-së lidhur me rritjen e mbështetjes ndaj tij.
“Është e drejtë legjitime e çdo partie të protestojë, madje unë e kam pritur që PD të na bashkohet. Kemi thënë që të krijohet një kohezion i madh social. Po ta kishim bërë që në janar, jam i bindur që Edi Rama nuk do e kishte shtyrë. Në PD një seri njerëzish e kanë patur merakun se mos fitonte Adriatiku”, tha Lapaj.
Megjithëse u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me Sali Berisha, kreu i “Shqipëria Bëhet” gjithashtu tha se qytetarët janë të lodhur nga e njëjta klasë politike që, sipas tij, riciklohet prej 34 vitesh.
Ai bëri të ditur se partia e tij do garojë në të gjitha bashkitë e vendit në zgjedhjet lokale. “Do të garojmë në 61 bashkitë për këshillat bashkiakë. Për kryetarë bashkie do të vendosim më vonë. Kam ndjerë një dëshirë të jashtëzakonshme për ndryshim. Njerëzit janë të lodhur nga e njëjta klasë politike që ka 34 vite që riciklohet”, tha Lapaj.
Lini një Përgjigje