Juristi Kreshnik Spahiu e ka cilësuar protestën e tetë kombëtare të Partisë Demokratike si një nga tubimet më të vogla në historinë e kësaj force politike.
I ftuar në Report Tv, Spahiu deklaroi se pjesëmarrja në protestë ishte shumë më e ulët nga sa ishte paralajmëruar nga opozita, duke shtuar se demokratët dhe qytetarët e “braktisën” Sali Berishën në momentin më të rëndësishëm.
“Populli dhe demokratët e braktisën Berishën në ditën më të nevojshme dhe e lanë me 1500-2000 protestues”, u shpreh ai.
Sipas Spahiut, tensionet dhe përplasjet me policinë ishin të provokuara nga vetë organizatorët e protestës, ndërsa shtoi se edhe mazhoranca ka interes që Berisha të mbetet figura kryesore përballë qeverisë.
“Është një përplasje e para e provokuar dhe e iniciuar nga vetë organizatorët për disa arsye, por nga ana tjetër është edhe mbështetur nga policia, që jam e sigurt që aktorët më kryesorë që kanë interes që Berisha të jetë faktor i vetëm përballë qeverisë janë socialistët”, deklaroi Spahiu.
Ai ironizoi edhe protestuesit, duke thënë se pa praninë e policisë protesta nuk do të kishte asnjë ndikim.
“I bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të mendojnë për një moment një bulevard pa polici, ku ka përballë 2 mijë protestues. Të jeni të sigurt, ashtu siç erdhën, si pula të lagura, ashtu do largoheshin dhe nuk do mundeshin të pushtonin institucione”, tha juristi.
Spahiu ngriti gjithashtu dyshime për një marrëveshje të mundshme politike mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për ndryshime kushtetuese dhe elektorale.
“Berisha është përballë një pazari të madh historik PD-PS, për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të ndryshuar ligjin elektoral, për të asgjësuar për 30-40 vitet e ardhshme çdo lëvizje të re politike”, u shpreh ai.
Juristi komentoi edhe qëllimet politike të protestave të Berishës, duke pretenduar se ato kanë shërbyer për të dobësuar partitë e reja opozitare dhe rivalët brenda opozitës.
“Dy ishin qëllimet e protestës, e para për të hequr Adriatik Lapajn nga bulevardi si konkurrent opozitar. Dikush mund të thotë se ka frikë Adriatikun, në politikë Berisha dhe Rama kanë një strategji tjetër. Berisha ka qenë gjithmonë keqësues i këtyre partive të reja. E rivaloi me protesta dhe pastaj e joshi me marrëveshje deri t’i djegë fare”, tha Spahiu.
Sipas tij, protesta kishte edhe një objektiv tjetër politik.
“Qëllimi i dytë, lanë në hije partinë e Agron Shehajt dhe Arlind Qorit. Në perceptimin e publikut dhe opinionit, kush ka njerëz më shumë, ai është më i fortë. Nëpërmjet protestave eliminoi protestat e brendshme”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje