Kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se forca politike që ai drejton ka propozuar që Shqipëria të adoptojë një model zgjedhor të ngjashëm me atë të Kosovës, me një zonë të vetme elektorale në të gjithë vendin.
I ftuar në emisionin “Terminal” në A2CNN, Lapaj tha se drafti i paraqitur nga lëvizja e tij synon barazimin e votës dhe krijimin e më shumë hapësirave për partitë e reja dhe kandidatët jashtë strukturave tradicionale politike.
“Propozimi që ne kemi bërë është praktikisht modeli i Kosovës. Kemi propozuar që Shqipëria të jetë një zonë e vetme zgjedhore, nga Kukësi në Sarandë, ku e gjithë vota të mblidhet bashkë. Kjo sjell barazim real të votës dhe shmang situatat ku qytetarëve u thuhet se vota për partitë e reja shkon dëm. Deputeti i Kukësit miraton ligje që vlejnë edhe në Sarandë, ndaj nuk ka pse sistemi të trajtojë votën ndryshe sipas qarqeve. Ky model do të krijonte më shumë hapësirë për konkurencë reale politike”, deklaroi Lapaj.
Sipas tij, propozimi i është dorëzuar tryezës së reformës zgjedhore dhe, referuar deklarimeve publike, në parim është pranuar edhe nga Partia Demokratike.
Lapaj theksoi gjithashtu se “Shqipëria Bëhet” kërkon lista të hapura dhe ruajtjen e numrit aktual të deputetëve në Parlament, duke kundërshtuar idenë për reduktimin e tyre.
“Ne kemi kërkuar lista të hapura sepse Parlamenti duhet të prodhojë përfaqësim real dhe jo deputetë të emëruar nga kryetarët. Intelektualët dhe profesionistët duhet të kenë mundësi të hyjnë në politikë përmes mbështetjes qytetare dhe jo përmes pazareve partiake. Gjithashtu kemi propozuar që Parlamenti të mbetet me 140 deputetë. Ideja për uljen e numrit të deputetëve sjell centralizim më të madh të pushtetit dhe e bën Parlamentin më të kapshëm nga grupet e interesit. Sa më pak deputetë të ketë, aq më e lehtë bëhet kontrolli politik mbi ta”, u shpreh kreu i “Shqipëria Bëhet”.
Sipas Lapajt, ndryshimet në sistemin zgjedhor janë të domosdoshme për të krijuar një përfaqësim më të drejtë politik dhe për të ulur kontrollin e partive të mëdha mbi procesin zgjedhor dhe Parlamentin.
Lini një Përgjigje