Kreu i “Shqipëria Bëhet” deklaron nisjen e një beteje politiko-juridike kundër ligjit për investimet strategjike dhe paketës së maleve: “Do të mbledhim 100 mijë firma në terren”
Kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se protesta e nisur nga forca që ai drejton nuk ka përfunduar, por do të hyjë tashmë në një fazë të re përmes një aksioni politiko-juridik që synon dërgimin e vendit në referendum.
I ftuar në emisionin “Terminal” të gazetares Aurora Sulçe në A2CNN, Lapaj u shpreh se protesta do të ridimensionohet dhe do të përqendrohet tek kundërshtimi i dy ligjeve që, sipas tij, kanë prodhuar pasojat më të mëdha në vend gjatë viteve të fundit.
“Protesta nuk është mbyllur. Është ridimensionuar. Është një rrugëtim. Sigurisht që unë do të doja që masiviteti dhe përballja të kishte qenë aty dhe përfundimtare me këta që e drejtojnë Shqipërinë në mënyrë banditeske. Por këtë nuk e kam unë në dorë, as ne. E ka gjithë popullata, realiteti social-kulturor ku jetojmë, shoqëria dhe momenti. Që kur dolëm, thamë që protesta do të ridimensionohej dhe për këtë arsye tani ajo do të vazhdojë me një akt politiko-juridik”, deklaroi Lapaj.
Sipas tij, lëvizja “Shqipëria Bëhet” i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë formularët e nevojshëm për nisjen e procedurave të referendumit kundër ligjit për investimet strategjike dhe ligjit për paketën e maleve.
“Ne i jemi drejtuar KQZ-së për të marrë formularët për të çuar vendin në referendum sa i takon dy ligjeve që kanë prodhuar problemet më të mëdha në 10 vitet e fundit. Bëhet fjalë për ligjin e investimeve strategjike dhe paketën e maleve, e cila pritet të aplikohet dhe të krijojë dëme shumë të mëdha në shoqëri. Formulari na është miratuar dhe aktualisht po bëjmë përgatitjet logjistike për të nisur këtë proces në terren”, u shpreh ai.
Lapaj paralajmëroi një fushatë intensive në të gjithë vendin për mbledhjen e firmave të nevojshme, duke theksuar se synimi është organizimi i referendumit të parë shfuqizues në Shqipëri pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1998.
“Prej javës tjetër do të nisim një rrugëtim pa ndalim për tetë muajt që vijnë për të mbledhur 100 mijë firma, 50 mijë për secilin ligj. Synimi ynë është ta çojmë vendin në referendum dhe qytetarët të vendosin vetë përmes votës. Për herë të parë pas 28 vitesh, që nga referendumi për Kushtetutën e vitit 1998, Shqipëria mund të shkojë në një referendum shfuqizues për dy ligje që kanë krijuar debat dhe problematikë të madhe në vend”, deklaroi kreu i “Shqipëria Bëhet”.
Lini një Përgjigje