Partia Demokratike ka zhvilluar zgjedhjet për drejtimin e degëve të saj në Memaliaj dhe Selenicë, duke shpallur fituesit pas përfundimit të procesit të numërimit.
Në Memaliaj, kryetar i ri i degës së PD është zgjedhur Florian Çela. Pas rezultatit reagoi deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili uroi Çelën për fitoren dhe përgëzoi edhe kandidatët e tjerë në garë, Dituri Kociu dhe Teme Rama, për pjesëmarrjen në proces.
Shehu shprehu gjithashtu mirënjohje për ish-drejtuesin e degës, Bujar Kapllani, duke vlerësuar rolin e tij në drejtimin e demokratëve në periudha të vështira politike.
“Pa dyshim, ky proces zgjedhor do të shërbejë për forcimin, zgjerimin dhe mbarëvajtjen e mëtejshme të degës së PD Memaliaj. Beteja të reja na presin në përballjen me këtë regjim”, deklaroi deputeti demokrat.
Ndërkohë, në Selenicë fitues i zgjedhjeve është shpallur Arbër Sulaj, i cili siguroi 113 vota kundrejt 25 votave të kandidatit tjetër, Shpëtim Ballaj.
Sipas procesverbalit zyrtar, në votim morën pjesë 138 anëtarë të Partisë Demokratike, ndërsa procesi u zhvillua nga komisioni i numërimit pranë degës së PD-së në Selenicë.
Pas certifikimit të rezultatit, Arbër Sulaj do të drejtojë tashmë Degën e Partisë Demokratike në Selenicë.
Lini një Përgjigje