
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për çmimet e larta të banesave në Tiranë. Ajo ka deklaruar se një qytetari shqiptar i duhen mesatarisht 18.6 vite pune për të blerë një apartament në kryeqytet.
Në një video-mesazh në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se tregu i banesave është bërë i papërballueshëm për shumicën e familjeve shqiptare dhe se rritja e çmimeve nuk lidhet me zhvillimin normal ekonomik apo me kërkesën reale në treg.
Sipas saj, çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me 41.6% nga viti në vit, një ritëm që ajo e cilësoi si ndër më të lartët në rajon dhe më të lartë se në shumë vende të Bashkimit Europian.
“18.6 vite pa bërë asgjë tjetër, pa llogaritur jetesën, shpenzimet apo taksat që rriten çdo vit, vetëm për të kursyer dhe blerë një apartament. Kjo tregon se tregu është bërë i paarritshëm për qytetarët shqiptarë”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate hodhi akuza edhe ndaj sektorit të ndërtimit, duke e cilësuar situatën si një “flluskë ndërtimi” që sipas saj lidhet me pastrimin e parave.
“Ndërtimi është kthyer në një sektor me rritje fiktive, por të papërballueshme për qytetarët. Ekonomia mund të duket sikur rritet, por kjo rritje mbetet e përqendruar tek një pakicë”, u shpreh ajo.
Tabaku tha se ky është një realitet i “sistemit të pakicës”, ku sipas saj përfitimet ekonomike dhe fondet publike përqendrohen tek një grup i vogël interesash, ndërsa qytetarët përballen me kosto gjithnjë e më të larta jetese dhe pamundësi për të siguruar një banesë.
Lini një Përgjigje