TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Maj 2026, 12:41

PD bashkoi votat me PS për rezolutën e integrimin në BE, Berisha: Çështje kombëtare, jo përplasje politike! 

Shkruar nga Pamfleti
PD bashkoi votat me PS për rezolutën e integrimin në BE, Berisha:
Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedim me qytetarët në Facebookun e tij, deklaroi se opozita nuk do të votonte kundër integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai tha se qëndrimi i PD mbështet procesin e integrimit, por sipas tij vendi nuk përmbush kriteret e kërkuara nga BE, me përjashtim të atij gjeopolitik.

Berisha u shpreh se pas luftës në Ukrainë dhe zhvillimeve të tjera ndërkombëtare, në Bruksel është krijuar bindja se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të afrohen më shpejt me Bashkimin Europian. Sipas tij, kjo ka bërë që procesi i integrimit të mos mbështetet vetëm te merita dhe performanca e vendeve aspirante, por edhe te faktorët gjeopolitikë.

Në komentet e tij, kreu i PD tha se rezoluta e miratuar mes PS dhe PD nuk përmban vlerësime për punën e qeverisë apo të parlamentit, por vetëm kërkesa dhe detyra për institucionet shqiptare. Berisha deklaroi se, edhe në rast se Shqipëria do të ishte pranë anëtarësimit në muajt e ardhshëm, Partia Demokratike nuk do të dilte kundër, pasi sipas tij integrimi europian është çështje kombëtare dhe jo përplasje politike.

"Rezoluta PS-PD shpreh atë që ne, si Parti Demokratike kemi deklaruar se mbështesim procesin e integrimit, ndonëse, theksoj, përveç kriterit gjeopolitik, Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter. Kujtojeni këtë qëndrim tonin, tezën tonë kryesore.

Pas luftës në Ukrainë dhe ndryshimeve të tjera, në Bruksel u krijua opinioni se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet pa vonesë dhe u krijua përshtypja se po sakrifikohej platforma e integrimit të bazuar në meritë për shkak të dominimit të faktorit gjeopolitik.

Ne, duke thënë të vërtetën, themi se jemi dakord për integrimin, por përveç gjeopolitikës nuk plotësojmë asnjë kriter. Nëse lexoni rezolutën, nga rreshti i parë deri te i fundit nuk gjeni absolutisht asnjë vlerësim për punën e parlamentit apo të qeverisë. Zero. Nga rreshti i parë deri te i fundit renditet kërkesa, detyra për parlamentin dhe qeverinë.

Pra, nëse ne insistojmë që për të ecur drejt integrimit duhet një proces me meritë, i bazuar në performancë, besoj se ne po mbrojmë interesat e qytetarëve. Nga ana tjetër, nuk guxuan kundërshtarët tanë të mbrojnë qoftë edhe një arritje të vetme të tyre. Lexojini.

Unë dua t’ju them se, nëse nesër do të pyeteshim se pas pesë muajsh Shqipëria do të integrohej në BE kështu siç është, ne nuk do të votonim kundër, sepse kjo nuk është çështje e luftës ndërpartiake, por çështje e kombit. Integrimi dihet të jetë i bazuar në meritë, lexoni edhe paragrafin e fundit që thotë këtë gjë", tha Berisha.

sali berisha integrimi i shqiperise ne be

Lini një Përgjigje