Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar pas shkarkimit të gjithë kupolës drejtuese të komisariatit në Sarandë , ku u arrestuan drejtues dhe punonjës policie të dyshuar për bashkëpunim me elementë kriminalë dhe shpërdorim detyre.
Në reagimin e tij, Lamallari theksoi se në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit apo që tradhton besimin e qytetarëve.
"Në Policinë e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit, që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë.
E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit, bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit.
Kjo provë vullneti për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element që cënon ligjin dhe besimin e publikut, nuk është e para dhe nuk do të jetë as e fundit.
Në çdo rast abuzimi, që nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementët kriminalë, reagimi do të jete me zero tolerancë. Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe përballen me drejtësinë.
Përgëzime dhe kurajo lidershipit të ri të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit. Asnjë hap mbrapa!", thotë Lamallari.
Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, shefi i Krimeve të Sarandës, Andi Duro si dhe dy specialistë policie janë arrestuar dje. Burime paraprake bëjnë me dije se priten edhe arrestime të tjera, në kuadër të hetimeve për përfshirjen e efektivëve në ndërtimet pa leje në zonat më të lakmuara bregdetare të jugut, në Sarandë dhe Ksamil.
Arrestimet erdhën pasi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nisi të premten një operacion në Sarandë, Ksamil dhe zonat përreth, duke hetuar disa raste të ditëve të fundit që lidhen me ndërtime të paligjshme.
Sipas informacioneve paraprake, hetimet janë fokusuar te dyshimet se punonjës policie kanë pasur rol aktiv ose kanë toleruar ndërtimet pa leje përgjatë vijës bregdetare.
Një ditë më parë, Policia e Sarandës arrestoi 8 persona që po kryenin ndërtime pa leje pranë bregdetit, ndërsa në kërkim u shpall edhe pronarja e tokës ku po zhvilloheshin punimet.
Lini një Përgjigje