
Zbardhen detaje të reja nga operacioni i AMP kundër ndërtimeve pa leje në Sarandë, aksion që çoi në pezullime dhe ndalime brenda strukturave të Policisë së Shtetit.
Në pranga ranë shefi i Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, si dhe tre inspektorë të policisë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj. Dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke toleruar dhe favorizuar ndërtime pa leje në zonat më të kërkuara bregdetare të jugut, kryesisht në Sarandë dhe Ksamil.
Sipas hetimeve, efektivët kishin ngritur skema për përfitime të paligjshme dhe shmangie të përgjegjësive ligjore, ndërsa ekzistojnë dyshime se disa prej ndërtimeve të toleruara kishin lidhje edhe me grupe kriminale që operojnë në zonë.
Operacioni nisi pas një denoncimi për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen nr.1 të Sarandës. Ky rast çoi në arrestimin e tetë punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo. Pas sinjalizimit, IKMT, IMT dhe Policia Bashkiake ndërhynë për shembjen e objektit.
Vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, referoi rastin pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, AMP vijoi hetimet për nxjerrjen e përgjegjësive të punonjësve të policisë që nuk kishin vepruar për ndalimin e ndërtimeve të paligjshme.
Katër efektivët akuzohen për “Shpërdorim detyre”, “Kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”, vepra të kryera në bashkëpunim dhe jo vetëm për këtë rast. Pas aksionit, drejtori i Policisë i ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga radhët e policisë.
Ndërkohë, është pezulluar edhe shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Sarandës, komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk u paraqit për t’u marrë në pyetje nga AMP gjatë hetimeve.
Lini një Përgjigje