Detaje të reja nga aksioni i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Sarandë. Mësohet se në kuadër të këtij operacioni që lidhet me hetimet për ndërtimet pa leje në zonat turistike të jugut janë arrestuar dy efektivë policie.
Sipas burimeve paraprake, efektivët dyshohet se nuk kanë marrë masa për të parandaluar apo denoncuar raste të ndërtimeve të paligjshme të evidentuara së fundmi në Sarandë dhe Ksamil.
Operacioni i AMP është shtrirë në disa zona dhe vjen pas ndërhyrjeve të fundit të autoriteteve kundër ndërtimeve pa leje. Pak ditë më parë, Prokuroria sekuestroi një kat hoteli të ndërtuar pa leje në Sarandë, ndërsa në Ksamil u arrestuan tetë persona që po kryenin punime të kundërligjshme në një zonë bregdetare.
Hetuesit po verifikojnë nëse efektivët e arrestuar kanë favorizuar subjektet që kryenin ndërtimet ose kanë shpërdoruar detyrën duke mos ndërhyrë për bllokimin e punimeve.
Ndërkohë, operacioni vijon dhe nuk përjashtohen masa të tjera ndaj punonjësve të policisë apo personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Lini një Përgjigje