Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK për atentatin e ndodhur në gusht 2024 në fshatin Bushat, ku objektiv dyshohet se ishte Aleksandër Prendi. Nga zbërthimi i telefonave të të pandehurve, prokuroria ka siguruar pamje, video dhe biseda që, sipas hetuesve, dokumentojnë planifikimin e sulmit dhe lëvizjet e grupit të armatosur.
Sipas dosjes, të akuzuarit Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka kishin organizuar atentatin ndaj Prendit, por janë hasur në kundërpërgjigje nga shënjestra e tyre. Në telefonat e sekuestruar janë gjetur video ku shfaqen persona duke bërë qitje me armë zjarri, ndërsa SPAK pretendon se këto materiale tregojnë përgatitje dhe stërvitje të grupit.
Në një prej videove të përmendura në dosje, Izmir Sakicaj shfaqet duke qëlluar me armë automatike në një zonë të pabanuar, ndërsa një person tjetër dyshohet se e udhëzon për përdorimin e saj. Po ashtu, hetuesit kanë evidentuar pamje ku shfaqen shuma të mëdha parash cash në kartëmonedha euro, të transportuara me automjet.
“Në videon e krijuar me datë 02.10.2024, evidentohet fakti se shtetasi Izmir Sakicaj po gjuan me një armë zjarri në një zonë në dukje të pabanuar. Duket sikur shtetasi po stërvitet të gjuajë me armë zjarri të gjatë. Në fillim të videos, shfaqen dy shtetas, njëri i veshur me të zeza, dhe me kapuc në kokë (Izmir Sakicaj) dhe një shtetas tjetër mashkull, i veshur me xhup të zi, pantollona kafe dhe një çantë të lidhur në pjesën e përparme të trupit. Duket sikur shtetasi i paidentifikuar e mëson shtetasin Izmir Sakicaj si të përdorë armën. Pas largimit të shtetasit të paidentifikuar, Izmir Sakicaj gjuan në breshëri.”, pjesë nga dosja.
Po ashtu, Sakicaj ka ekspozuar dhe një foto ku shfaqen disa tufa të mëdha me euro, kartëmonedha 50 dhe 20 euro.
“Në provat e SPAK paraqiten disa fragmente të cilat tregojnë se përdoruesi i këtij aparati celular, Izmir Sakicaj, ka traportuar para në vlera të mëdha të cashit. Nga këqyrja në tërësi e këtij akti ekspertimi, nuk janë evidentuar të dhëna mbi burimin e këtyre të ardhurave, apo ku janë të destinuara të dërgohen.
Në videon me datë krijimi 24.07.2024, shtetasi i cili është duke drejtuar mjetin regjistron nga brenda makinës dhe fikson në sedilen e pasagjerit një cantë të mbushur me kartmonedha në prerje 20 euro dhe 50 euro.”, thuhet në dosje.
Në telefonin e sekuestruar, sipas SPAK, edhe Samuel Troshani shfaqet duke bërë qitje me armë, në shoqërinë e një femre të paidentifikuar.
Sipas dosjes: Në videon e datës 21.11.2024, shfaqet dy shtetas, një mashkull, që dyshohet të jetë Samuel Troshani dhe një femër, e paidentifikuar. Dy shtetasit shfaqen në video teksa gjuajnë me armë zjarri, të tipit pistoletë.
Ndërkohë, në dosje, disa biseda provojnë se si Prendi arriti t’ju dalë në pritë, përmes pamjeve të vendosura në banesën në fshatin Rranxë.
Sipas dosjes, në skenë dalin edhe pjesëtarë të tjerë të familjes së Prendit, vëllai Andrea Prendi dhe babai i tij, Gëzim Prendi me pseudonimin ‘Noizy’.
Një person me pseudonimin ‘Cavalli’, i dyshuar si Andrea Prendi, vëllai i Aleksandër Prendit, në një bisedë me Arsen Cenin, tregon për disa lëvizje të dyshimta pranë banesës së tyre. Sipas tij, kamërat e vendosura në banesën e tyre kanë kapur disa lëvizje, ndërsa policia kishte shkuar për kontroll.
Bëhet fjalë pikërisht për vendin ku ka ndodhur edhe përplasja me armë.
“Cavalli”, i thotë Arsenit se ka parë kamerat e shtëpisë gjatë natës dhe ka vërejtur forcat e policisë që kanë shkuar për të ushtruar kontroll dhe Arseni i përgjiget se e ka marrë vesh sepse ia kishte thënë edhe “Kapedani” që duhet të jetë Pjetër Prendi (alias Dragoti).
Ndër të tjera Arseni thotë se do qëndrojë te shtëpia e vëllezërve sëbashku me “Noizyn” për të bërë roje se mos vjen dikush dhe ka në dispozicion një cifte me disa fishekë dhe “Cavalli” shprehet se “po tbani roje fratelo….kot ajo pune…po he…se thojn na kan gjujt diten lene ma naten”.
Të nesërmen me datë 25.08.2024 “Cavalli” është i shqetësuar për disa kamera të zonës ku ka ndodhur ngjarja dhe dërgon Arsenin të shohi drejtimin e kamerave. Arseni pasi afrohet tek zona me kamera e qetëson pasi sipas tij kamerat nuk kanë këndvështrimin andej nga mund të identifikohet kalimi i mjetit BMë dhe në atë moment “Cavalli” shprehet se “ishalla skapin” “se pshton dhe aleksi” “se mu mhajn k…” “Se vec njajo kamer asht tan problemi”.
Për sa i përket ditës së ngjarjes Arseni i thotë Cavallit se personat me automjete të blinduar që kanë shkuar në Rranxë, mund të kenë qenë në zonë që një natë më parë për të marrë informacion se ku banonin vëllezërit Prendi dhe më konrektisht i shprehet se “Se ndejta me jonin pak par me tha se kishte nigju se ishin sjell qysh nade ato” “Edhe i kishte than fatjoni se kishte ken nje pajton knej sterr i zi” “Edhe at dit kishin pyt ner cunaj per ty e kapedanin”, ndërsa “Cavalli” i përgjigjet“E kan gjet mir shpin” ndërsa Arseni kundërpërgjigjet se “jan da mir me aq”.
Gjithashtu “Cavalli” është i shqetësuar për dicka që Arseni duhet të fshihte pas ngjarjes së dates 23.08.2024 dhe e pyet Arsenin “a jan lerg ato qe ke mshef” “apo sdin gja”, ndërsa Arseni i përgjigjet “1 aty ku i kam meshe ather”,”Tj pa shku te toka agimit ne krah te majt ne ferra”.
Lini një Përgjigje