TAGS-AT E JAVËS

Kronike15 Maj 2026, 17:37

U kap me telefon në burgun e Durrësit, çfarë e nxori zbuluar “Turin e Burrelit”!

Shkruar nga Elton Qyno
U kap me telefon në burgun e Durrësit, çfarë e nxori
Foto ilustruese

Një përgjim i kryer nga Byroja Kombëtare e Hetimit përmes pajisjes “IMSI Catcher”, ka çuar në zbulimin e një aparati telefoni në qelinë e burgut të Durrësit, ku qëndronte i paraburgosuri Artur Hoxhosmani, ose siç njihet ndryshe si “Turi i Burrelit”.

Hoxhosmani ndodhet në paraburgim pasi SPAK ka caktuar masën e “arrestit në burg” ndaj tij, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Me sa duket, gjatë kësaj kohe, Hoxhosmani ka qenë në përgjim nga autoritetet e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilat kanë zbuluar se nga brenda qelisë ku qëndronte në burgun e Durrësit, Hoxhosmani kryente telefonata me persona të ndryshëm.

Kaq ka mjaftuar që oficeri i përgjimit të njoftojë prokurorin dhe më pas Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila mori masa të menjëhershme për kryerjen e kontrollit në qelinë ku qëndron Artur Hoxhosmani.

Grupi ndërkombëtar i trafikut të drogës, ku bënin pjesë vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, u godit nga SPAK rreth një vit më parë.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në godinën “B”, u konstatua dhe sekuestrua një aparat celular tip iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar. Lidhur me rastin janë kryer veprimet procedurale përkatëse dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara. Strukturat e specializuara të SHKBB, në koordinim me SPAK dhe BKH-në, po vijojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme sipas ligjit”, - njoftoi sot Drejtoria e Burgjeve.

artur hoxhosmani

Lini një Përgjigje