Një kontroll i befasishëm është zhvilluar në ambientet e burgut të Durrësit nga Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me SPAK dhe BKH.
Gjatë kontrollit në godinën B është konstatuar dhe sekuestruar një aparat celular tip iPhone, së bashku me një karikues dhe një fishë lidhëse të improvizuar.
Pajisja është marrë në cilësinë e provës materiale dhe po administrohet sipas procedurave ligjore.
VoxNews shkruan se "iPhone 17 Pro Max" i përket të burgosurit Klevis Hoxhosmani, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar lidhur me pronësinë e pajisjes.
Hetimet po vijojnë për të sqaruar rrethanat e futjes së sendeve të ndaluara në institucion.
Klevis Hoxhosmani është në një lidhje me Kejda Ajazin, vajzën e Majlinda Bregut, ish-ministre e Integrimit Evropian dhe ish-deputete e Partisë Demokratike.
"Në vijim të kontrolleve të befasishme dhe të intensifikuara të ushtruara nga Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), është evidentuar një rast i posedimit të sendeve të ndaluara në ambientet e IEVP Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në godinën “B”, u konstatua dhe sekuestrua një aparat celular tip iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar.
Lidhur me rastin janë kryer veprimet procedurale përkatëse dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara.
Strukturat e specializuara të SHKBB, në koordinim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme sipas ligjit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në forcimin e sigurisë në institucionet penitenciare dhe në goditjen e çdo paligjshmërie brenda sistemit.", njoftuan burgjet.
Hetimet disa mujore të SPAK në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese ndërkombëtare çuan në goditjen e një rrjeti të madh kriminal, të përbërë nga 16 persona.
Sipas SPAK, grupit i janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë me një vlerë tregu që kap shifrën e 411 milionë eurove. Organizata funksiononte me struktura të qarta dhe linja të përhapura në disa shtete të Evropës.
Në pranga kanë rënë vëllezërit Klevis dhe Artur Hoxhosmani, biznesmeni Ermir Ndrejaj, Ilir Lloshaj, ndërsa Plarent Dervishaj dhe Erion Alibej janë njoftuar për masën në burg. Arrestimet janë kryer në Palasë, Elbasan dhe Tiranë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rolet konkrete të secilit anëtar të rrjetit.
![]()
Lini një Përgjigje