Tentuan të ekzekutojnë Aleksandër Prendin dhe familjen e tij, SPAK merr të pandehur tre anëtarë të grupit ‘Bajri’
Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Franko Lekën, anëtarë të grupit "Bajri" duke u komunikuar akuzat për organizimin dhe planifikimin e vrasjes së Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij, në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Sipas hetimeve, plani kriminal nuk arriti të realizohej, pasi sapo grupi i armatosur hyri në fshatin Rranxë, ata u qëlluan me armë zjarri nga Aleksandër Prendi.
SPAK ka ngritur ndaj tyre akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje” dhe “armëmbajtje pa leje”, të gjitha të kryera në kuadër të grupit kriminal. Edhe pse konsiderohej objektiv i sulmit, Aleksandër Prendi nuk i ka shpëtuar hetimit, pasi ndaj tij është ngritur akuza për vrasje në tentativë. Aktualisht, Franko Leka dhe Aleksandër Prendi vijojnë të jenë në kërkim.
Në njoftimin e publikuar nga SPAK në shkurt të vitit të kaluar thuhet se Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ishin nisur me mjete të blinduara drejt fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
Sipas prokurorisë, personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se ata kishin shkuar në zonë me qëllim ekzekutimin e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij, banorë të asaj zone.
Në momentin që grupi po kalonte në këtë territor, ata janë qëlluar me armë zjarri nga Prendi. Nga hetimet dhe provat e mbledhura në vendngjarje rezulton se ka pasur shkëmbim zjarri mes palëve, pa persona të lënduar, por vetëm me dëmtime materiale në automjete.
Një prej mjeteve të përdorura nga personat nën hetim rezultoi i dëmtuar nga të shtënat. Sipas verifikimeve, automjeti ishte i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja që nuk i përkisnin të njëjtit mjet.
Për këtë ngjarje, në burg ndodhen vetëm Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët u vetëdorëzuan në polici pasi ishin shpallur në kërkim në lidhje me një konflikt të ndodhur në Shkodër.
Kerkojme nga prokuroria qe te veproj, te zgjeroj hetimet dhe te kerkoj ndëshkimet maksimale te ketyre banditëve këlysh crnagoresh qe kane çuar shume kry ne Shkodër e me gjere.