Për ata që janë vërtet të interesuar për artet marciale, është e rëndësishme të dihet se ndeshjet e para të organizuara mbrëmë përpara Shtëpisë së Bardhë nga Ultimate Fighting Championship (UFC) përfunduan të gjitha me knockout. Kjo për kënaqësinë e presidentit Trump, i cili festoi kështu 80-vjetorin e tij së bashku me familjen, përpara qindra spektatorëve të mbështjellë me flamurin amerikan, me pjesëmarrjen e figurave si Mark Zuckerberg i Meta dhe drejtuesi i Paramount, David Ellison.
Mauricio Ruffy, pasi mundi Michael Chandler, gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes i propozoi publikisht bashkëshortes së tij martesë, duke lënë të pranishmit të habitur për gjendjen mendore të garuesve, pasi të dy janë të martuar prej disa vitesh. Ndërsa Josh Hokit, pas fitores ndaj Derrick Lewis, deklaroi se “Michelle Obama është burrë, kam të drejtë Amerikë?”.
E vërteta është se marrëveshja me Iranin, e shpallur pak para fillimit të ndeshjeve, tërhoqi gjithë vëmendjen, dhe për këtë flitej gjatë gjithë mbrëmjes, përveç tifozëve të sporteve luftarake që ndjekin filozofinë e kreut të UFC-së, Dana White, sipas të cilit “ky është vendi i luftës. Është ndërtuar me luftë”.
Marrëveshja me Iranin
Marrëveshja me Iranin, për momentin, duket e mbyllur ose të paktën e pezulluar për 60 ditë, në bazë të një marrëveshjeje që do të nënshkruhet të premten në Gjenevë për të zgjatur armëpushimin dhe për të negociuar detajet mbi të ardhmen e programit bërthamor të Teheranit.
Pak para se të shkonte pranë ringut, Trump ka kontaktuar “New York Times” për të shpjeguar përmbajtjen e marrëveshjes. Së pari, Hormuzi rihapet pa taksa shtesë, por kjo në fakt ishte tashmë gjendja më parë, dhe në rastin më të mirë bëhet fjalë për kthim në kushtet ekzistuese, me ndryshimin se tani bota ka parë aftësinë e Gardës Revolucionare për të paralizuar tregun global të energjisë.
Presidenti këmbëngul se marrëveshja e re është më e mirë se JCPOA i firmosur nga paraardhësi Barack Obama, por realiteti është se ky vlerësim mbetet i pasigurt. Teksti nuk zgjidh çështjen e mbi 400 kilogramëve uranium të pasuruar nga autoritetet iraniane, as të ardhmen e aktiviteteve bërthamore të Iranit.
Këto çështje shtyhen për negociatat 60-ditore, të cilat mund të zgjaten. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Irani është zotuar të mos ndërtojë apo blejë armë bërthamore, por kjo tashmë është pjesë e Traktatit të Mospërhapjes dhe ishte përsëritur edhe në JCPOA.
Trump këmbëngul se kontrollet do të jenë më të rrepta, por ato nuk janë të përcaktuara në memorandum. Po ashtu mbetet e paqartë çështja e uraniumit të pasuruar, pjesërisht i mbetur pas bombardimeve të qershorit në tre objektet kryesore bërthamore.
Presidenti ka thënë se nuk ka nxitim për rikuperimin e tij, por ai do të hollohet në bashkëpunim me SHBA-të. Sa i përket programit civil, Trump ka përmendur se pezullimi mund të zgjasë 15 deri në 20 vite, por jo përgjithmonë. Më pas, Irani mund të rifillojë aktivitetin, ndoshta me një kufi pasurimi afër 3.67%, si në JCPOA.
Në këmbim, nëse respektohen kushtet, autoritetet iraniane do të marrin gradualisht rreth 25 miliardë dollarë asete të ngrira jashtë vendit. Megjithatë, kjo shpërndarje është e kushtëzuar dhe Trump nuk do të marrë pjesë personalisht në të, për të shmangur kritikat ndaj tij.
E njëjta logjikë vlen edhe për negociatat 60-ditore: nëse nuk arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, presidenti ka deklaruar se është i gatshëm të rifillojë sulmet. Në këtë skenar, SHBA do të shndërroheshin në “rojen” e Lindjes së Mesme, ndërsa vendet e rajonit do të paguanin 20% të fitimeve të sektorit të tyre energjetik.
Lini një Përgjigje