
Kanë nisur fjalimet e qytetarëve para Kryeministrisë, aty ku prej 16 ditësh protestuesit mblidhen për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin e vendit.
E para që mori fjalën ishte një qytetare, e cila deklaroi se ka ardhur momenti që qeveria të largohet, ndërsa theksoi se pakënaqësia e qytetarëve ka arritur kulmin.
“Bota ka marrë vesh sesa të fortë dhe sa atdhetarë janë shqiptarët. Jemi këtu t’ju themi qeverisë dhe opozitës të japin dorëheqjen. Me zemër shqiptarët jashtë dhe brenda janë këtu, por janë këtu dhe të gjitha forcat për të thënë ‘Boll është boll!’”, u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, protestuesja thkesoi se kjo lëvizje qytetare po dallon nga protestat tradicionale politike, pasi sipas saj, sheshi po u jep mundësi qytetarëve të zakonshëm të ndajnë publikisht shqetësimet dhe problemet e tyre.
“Fjalimet tona s’janë aq të kuruara, por bukuria e këtij sheshi është që çdo qytetar vjen këtu për të folur për hallet, ndaj do të lëmë të flasë i madh e i vogël nga ai hall tek ai hall. Ky shesh po u tregon vendin të gjithëve, politikanë e pushtetarë”, u shpreh ajo.
Tubimi para Kryeministrisë vijon me fjalime të tjera të qytetarëve, të cilët po ndajnë historitë dhe problematikat që, sipas tyre, janë grumbulluar ndër vite, duke e kthyer protestën në një platformë ku zëri i qytetarëve dëgjohet drejtpërdrejt.
Lini një Përgjigje