
Policia e Shtetit ka zyrtarizuar një sërë ndryshimesh në drejtimin e qarqeve, ku Ermal Muçi është emëruar drejtor i Policisë së Lezhës. Ndërkohë, Edvin Ndreu në Vlorë, Ervin Hodaj në Durrës dhe Erion Ahmeti në Fier kanë marrë emërimet definitive pas ushtrimit të detyrës me komandim.
Kryepolici Skënder Hita ka bërë disa ndryshime në nivelet drejtuese të qarqeve, duke zyrtarizuar emërime të reja në disa prej drejtorive vendore më të rëndësishme të vendit.
Mësohet se oficeri i karrierës Ermal Muçi është emëruar drejtor i Policisë së Lezhës.
Emërimi i Muçit vjen në një moment kur qarku i Lezhës ka qenë në fokus të institucioneve ligjzbatuese pas disa ngjarjeve kriminale të regjistruara gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë, ndryshime janë zyrtarizuar edhe në disa drejtori të tjera vendore. Edvin Ndreu është konfirmuar përfundimisht në krye të Policisë së Vlorës, Ervin Hodaj në drejtimin e Policisë së Durrësit dhe Erion Ahmeti në krye të Policisë së Fierit.
Tre drejtuesit ushtronin detyrën me komandim dhe pas përfundimit të procesit të konkurrimit dhe vlerësimit profesional kanë marrë tashmë emërimin përfundimtar në postet që mbanin prej disa muajsh.
Burime pranë Policisë së Shtetit bëjnë me dije se këto lëvizje janë pjesë e procesit të konsolidimit të strukturave drejtuese në nivel vendor, me synim rritjen e eficiencës operacionale, forcimin e luftës kundër kriminalitetit dhe përmirësimin e performancës së policisë në qarqet kryesore të vendit.
Lezha, Vlora, Durrësi dhe Fieri konsiderohen qarqe me rëndësi të veçantë për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve dhe sfidave që lidhen me rendin dhe sigurinë publike. Për këtë arsye, drejtimi i këtyre strukturave shihet si një ndër përgjegjësitë më të rëndësishme brenda Policisë së Shtetit.
Lini një Përgjigje