Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik heroine.
Hetimet lidhen me aktivitet të dyshuar kriminal të zhvilluar në Shqipëri dhe në Danimarkë gjatë viteve 2023–2024. Sipas njoftimit zyrtar, grupi kriminal dyshohet se ka qenë i përfshirë në prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Hetimi është realizuar në bashkëpunim me autoritetet daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri. Autoritetet kanë identifikuar disa persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti kriminal ndërkombëtar.
Gjykata e Posaçme ka vendosur masa sigurie për dy shtetas shqiptarë të përfshirë në këtë çështje. Njëri prej tyre është vendosur në “arrest në burg”, ndërsa tjetri me masa kufizuese.
SPAK bëri me dije se dje ra në pranga Marsel Licaj, ndërsa ndaj Ermal Licaj u ekzekutuan masa detyrim për paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit.
Aktiviteti kriminal dyshohet se është zhvilluar në disa episode dhe ka përfshirë trafikun ndërkufitar të heroinës.
Lënda narkotike dyshohet se është përpunuar dhe përzier për t’u shitur në tregun danez. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Lini një Përgjigje