TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Maj 2026, 19:59

Berisha sulmon Ramën: 300 mln euro në vit nga droga për Portin e Durrësit

Shkruar nga Pamfleti
Berisha sulmon Ramën: 300 mln euro në vit nga droga për Portin e
Sali Berisha

Ish-kryeministri akuzon qeverinë për lidhje me kartelet e drogës dhe pretendon se të dhënat e TIMS janë eksportuar në Shkozet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, duke pretenduar se administrata shtetërore në Shqipëri është kriminalizuar dhe se vendi është kthyer në një qendër të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Gjatë një tryeze të organizuar nga Partia Demokratike lidhur me çështjet e sigurisë, Berisha tha se Shqipëria është “eksportuesi numër një i kanabisit në Europë”, duke iu referuar raportimeve të OKB-së, ndërsa akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama për krijimin e një politike që, sipas tij, favorizoi kultivimin dhe trafikun e drogës.

Sipas Berishës, trafiku i narkotikëve në Shqipëri ka kaluar nga kanabisi tek kokaina, ndërsa klanet shqiptare janë shndërruar në aktorë të rëndësishëm në tregun ndërkombëtar të drogës.

Ai përmendi edhe një përgjim të raportuar së fundmi në mediat italiane, ku sipas tij, Giuseppe Grillo i drejtohej Bartolo Bruzzetit me fjalët “na shkatërruan shqiptarët”, në lidhje me konkurrencën e grupeve kriminale shqiptare në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.

Berisha pretendoi se grupet shqiptare kanë marrë kontroll të konsiderueshëm në këtë aktivitet përmes marrëveshjeve direkte me prodhuesit në Amerikën Latine.

Në deklaratën e tij, ish-kryeministri ngriti edhe akuza të drejtpërdrejta për Portin e Durrësit. Ai tha se ekzistojnë të dhëna që, sipas tij, “kërkojnë hetim”, ku pretendohet se “karteli i Troplinit i paguan taksë Edi Ramës 300 milionë euro në vit për përdorim të lirë të Portit të Durrësit”.

Berisha deklaroi gjithashtu se prej pesë vitesh në Portin e Durrësit nuk është kapur asnjë sasi kokaine, duke e cilësuar portin si “port të lirë për kokainën dhe drogën”.

Një tjetër akuzë e ngritur prej tij lidhej me sistemin TIMS. Berisha pretendoi se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë shkarkuar dhe eksportuar të dhënat e sistemit TIMS, jo jashtë vendit, por në zonën e Shkozetit në Durrës.

Sipas tij, këto të dhëna përdoren nga grupet kriminale për të monitoruar hyrje-daljet në territorin shqiptar.

berisha rama droga

Lini një Përgjigje