Alesia Balliu, e cila nuk u lejua të kandidojë për kryetare të PD-së, ka zgjedhur t’i drejtohet Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, për ta vënë në dijeni lidhur me situatën e krijuar në Partinë Demokratike dhe mënyrën se si kjo forcë politike drejtohet nga një lider i shpallur ‘non grata’.
Ashtu sikundër kishte paralajmëruar më herët, Balliu informon ambasadorët se Sali Berisha po shkel parimet themelore të pluralizmit, ndërsa PD është marrë peng nga klani i tij.
Sa i përket ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore, deri në këtë moment, Balliu e ka dorëzuar padinë në gjykatën e PD, por prej dy javësh nuk ka asnjë përgjigje.
E ndërsa në njërën anë po zhvillon një betejë ligjore duke depozituar në Gjykatë, padinë përmes të cilës konteston përjashtimin e saj nga gara, në anën tjetër Balliu po informon diplomatët mbi situatën në PD.
“Sot Sali Berisha nuk ka më argument politik për të qëndruar në politikë. Është thjesht një kufomë politike që ruan interesat personalë dhe familjarë”, nënvizoi Balliu.
Ajo shprehet se Berisha nuk shihet më si emër unifikues pasi prodhon vetëm shpifje, duke shtuar se kreu i PD është frikacak pasi s’pranon të garojë para saj e Salianjit që ashtu si veten, e sheh emër fitues.
“Nëse do të lejohej gara, ta garantoj, Sali Berisha as 60% nuk merr. PD është e irrituar, do reformim të partisë, të jetë alternativë për të mundur Ramën. Ne e sfiduam, pse ka frikë të garojë? Ne garë kërkuam, s’kërkuam ofiq, as unë, as Salianji. Ai ka frikë nga demokratët. Në garë të ndershme, unë dhe Salianji e mundim Berishën”, tha Balliu.
Në programin “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, Balliu u shpreh se ka vënë në dijeni Ambasadat e SHBA, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Holandës, lidhur me atë që e konsideron si një situatë alarmante që Berisha po përdor PD-në për të sulmuar qoftë ambasadorët e BE, qoftë institucionet e drejtësisë.
Përmbajtja e plotë e emailit:
I nderuar Ambasador,
Po ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tim të thellë lidhur me situatën alarmante brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe procesin jodemokratik që po zhvillohet aktualisht në lidhje me drejtimin e saj.
Z. Sali Berisha po shkon drejt zgjedhjeve në parti si kandidati i vetëm, pasi ka përjashtuar jo vetëm mua, por edhe kandidatë të tjerë që kërkonin një proces të hapur, demokratik dhe konkurrues. Kjo përbën një shkelje të qartë të parimeve themelore të pluralizmit dhe demokracisë së brendshme.
Sot, Partia Demokratike është marrë praktikisht peng nga Sali Berisha dhe klani i tij politik. Në vend që të ndërtojë një alternativë të vërtetë opozitare për qytetarët shqiptarë, partia po përdoret gjithnjë e më shumë si një mburojë personale për betejat e tij ligjore dhe politike me institucionet e drejtësisë.
Është thellësisht shqetësuese që një person i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion dhe minimin e demokracisë, po e drejton Partinë Demokratike drejt një përballjeje të vazhdueshme me partnerët strategjikë të Shqipërisë. Nën drejtimin e tij, Partia Demokratike është kthyer gjithnjë e më shumë kundër SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, duke përdorur shpesh retorikë armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.
Kjo situatë po dëmton jo vetëm vetë Partinë Demokratike, por edhe opozitën shqiptare, standardet demokratike dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.
E konsiderova të rëndësishme t’ju informoj mbi këto zhvillime dhe rreziqet që paraqiten kur një parti politike kapet nga interesat personale të një individi, në vend që të udhëhiqet nga vlerat demokratike dhe parimet institucionale.
Me respekt,
Alesia Balliu
Lini një Përgjigje