Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi thotë se nuk sheh mundësi për bashkëpunim politik mes opozitës dhe mazhorancës, edhe pse të dy palët votuan pro rezolutës për integrimin europian në seancën plenare të së enjtes.
“Unë nuk kam asnjë iluzion që do të ketë asnjë bashkëpunim nga PS, sepse një gjë të tillë s’e ka bërë asnjë herë. Nuk pres ta bëj në këtë moment.”, u shpreh Korreshi.
I pyetur për arsyen pse votoi pro draftit dhe jo abstenim, deputeti demokrat tha se vendimi ishte në linjë me qëndrimin e grupit parlamentar të PD-së dhe me mbështetjen e tij për procesin e integrimit europian.
“Votova pro sepse vendimet e grupit nuk diskutohen. Unë jam pjesë e grupit parlamentar të PD-së. Për rastin në fjalë jam edhe dakord, pasi s’e shoh veten time jashtë proceseve integruese të Europës, pavarësisht se Shqipëria lë shumë për të dëshiruar me atë Europë ku duam të integrohemi. Në mënyrën se si është sot Shqipëria, ai s’po e çon në drejtim të Europës, por në drejtim të gropës”, deklaroi ai për A2 CNN.
Korreshi komentoi edhe raportet mes drejtuesve të grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së, duke mohuar pretendimet për kontakte telefonike mes Gazment Bardhit dhe Taulant Ballës.
“Përtej faktit që e ka deklaruar z.Bardhi mënyrën se si, ka thënë që nuk ka guximin z.Balla që t’i bjerë telefonit, nëse do kishte një kanal do bëhej në rrugë zyrtare. I kanë lënë gjë me libër shtëpie pa i thënë njëri-tjetrit. Nuk ka një telefonatë Bardhi-Balla, nuk ka asnjë shans. Z.Bardhi dhe z.Balla nuk shkojnë”, tha Korreshi.
Lini një Përgjigje