Deputeti i Partisë Socialiste Erion Malaj komentoi votimin sot në Kuvend të rezolutës për integrimin që mori votat e mazhorancës dhe opozitës.
Ai theksoi se qëllimi i punës së komisionit për integrimin evropian ishte shkrirja e 2 rezolutave politike në një të vetme siç edhe ndodhi.
"Politikisht është një arritje për t’u vlerësuar. Në mbledhjet e komisionit për integrimin evropian është ngritur një grup pune që do të merrte në konsideratë hartimin e një projekt-rezolute të përbashkët, pasi kanë qenë 2 projekt-rezoluta, një nga PS dhe një nga PD.
Nuk mund të them që nuk ishte e vështirë, se ishin rezoluta politike nga të dyja anët. Kemi punuar me orë të tëra. Ju siguroj se ajo projekt-rezolutë që është hartuar aty nuk ka ndryshuar asnjë pikë e presje, me përjashtim të një paragrafi të shtuar në mbledhjen e sotme nga zoti Dule", tha Malaj në emisionin Now në Euronews Albania.
Projekt-rezoluta e hartuar nga deputetët e Komisionit për Politikën e Jashtme, synon të vendosë prioritetet dhe angazhimet politike të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Dokumenti e cilëson anëtarësimin në BE si “objektiv strategjik kombëtar” dhe kërkon një angazhim të përbashkët institucional dhe politik për përshpejtimin e negociatave dhe zbatimin e reformave të kërkuara nga Brukseli.
Në projekt-rezolutë, Kuvendi angazhohet të forcojë rolin e tij në procesin e integrimit, duke rritur kontrollin parlamentar ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive shtetërore, si edhe duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie më të fortë në procesin e negociatave.
Lini një Përgjigje