TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Maj 2026, 20:50

Gazment Bardhi përgënjeshtron lajmet për telefonatë me Ballën: Nuk ka pasur asnjë bisedë mes nesh

Shkruar nga Pamfleti
Gazment Bardhi përgënjeshtron lajmet për telefonatë me
Gazment Bardhi

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka përgënjeshtruar sot lajmet se ka pasur një telefonatë mes tij dhe ministrit Taulant Balla për miratimin e rezolutës së integrimit europian në Kuvend.

Përmes një reagimi të ashpër publik, Bardhi akuzoi Top Channel për dezinformim dhe propagandë në favor të qeverisë, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se marrëveshja për votimin e rezolutës ishte arritur përmes kontakteve të fshehta me mazhorancën.

Nuk ka pasur asnjë telefonatë mes meje dhe Taulant Ballës për rezolutën e integrimit europian, siç dezinformon Top Channel. Taulant Balla nuk guxon të më marrë në telefon paradite, jo më të guxojë të më marrë në telefon në mesnatë”, shkruan Bardhi.

Reagimi i kreut të grupit të PD vjen pasi Kuvendi miratoi me 114 vota pro rezolutën për integrimin europian, në një nga rastet e rralla kur opozita dhe mazhoranca bashkuan votat.

Bardhi theksoi se mbështetja e PD për integrimin europian nuk ka nevojë për “telefonata sekrete” dhe se qëndrimi i opozitës ka qenë publik dhe institucional.

Mbështetja për integrimin europian të Shqipërisë nuk ka nevojë për telefonata sekrete dhe as për propagandë televizive. Çdo qëndrim i opozitës është publik, institucional dhe në funksion të interesit europian të vendit, jo të interesave të qeverisë”, deklaroi ai.

Sipas Bardhit, fakti që mazhoranca pranoi rreth 90% të amendamenteve të opozitës në rezolutë tregon se qeveria është detyruar të lëshojë terren përballë kërkesave të PD.

Miratimi i rreth 90% të amendamenteve të opozitës në këtë rezolutë është minimumi që mund të bëjë maxhoranca, në kushtet kur po vonon integrimin europian duke mbrojtur korrupsionin qeveritar dhe duke refuzuar standardet që kërkon Bashkimi Europian”, u shpreh Bardhi.

Në reagimin e tij, ai sulmoi drejtpërdrejt edhe Top Channel, duke e cilësuar televizionin si “mburojë mediatike të qeverisë” dhe të aferave korruptive.

Për fat të keq, Top Channel është kthyer prej kohësh në mburojë mediatike të qeverisë dhe të aferave të saj korruptive. Nuk është rastësi që në dy nga dosjet më të bujshme të korrupsionit, me protagonistë Belinda Ballukun dhe Ergys Agasin, televizioni sillet më shumë si avokat i pushtetit sesa si media që kërkon të vërtetën”, deklaroi Bardhi.

Në fund të reagimit, kreu i grupit parlamentar të PD theksoi se opozita do të vijojë të mbështesë integrimin europian të Shqipërisë, por paralajmëroi se nuk do të heshtë përballë korrupsionit të qeverisë Rama.

bardhi top channel

Lini një Përgjigje