Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka kërkuar sqarime nnë Kuvend lidhur me editorialin e përbashkët të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, të publikuar në muajin shkurt në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Gjatë interpelancës me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, Shehu deklaroi se qëndrimi i paraqitur në artikull ishte një vendim personal i Ramës dhe Vuçiçit dhe jo një qëndrim i institucioneve shqiptare.
Sipas deputetit demokrat, ideja për një qasje të përbashkët të Shqipërisë dhe Serbisë në procesin e integrimit europian bie ndesh me orientimin politik të ndjekur nga Shqipëria pas vendosjes së pluralizmit dhe me rezolutat e miratuara më herët në Kuvend për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.
Shehu deklaroi se Shqipëria nuk mund të përfshihet në një proces integrimi të lidhur me Serbinë, duke kundërshtuar çdo formulë që, sipas tij, krijon një trajektore të përbashkët mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, ministri Ferit Hoxha mbrojti përmbajtjen e editorialit, duke thënë se propozimi synonte ta bënte më të besueshme dhe më konkrete rrugën drejt anëtarësimit për vendet e rajonit dhe për vetë Bashkimin Europian.
Sipas Hoxhës, në artikull propozohej një mekanizëm më fleksibël dhe i përshpejtuar, që do të lejonte afrimin gradual të vendeve aspirante me strukturat kryesore të BE-së edhe përpara anëtarësimit të plotë.
Debati në Kuvend:
Shehu: Kam kërkuar interpelancë me kryeministrin, sepse interpelanca lidhet me një artikull të botuar nga kryeministri me bashkëautor Vuçiçin. Artikujt janë elementë personal dhe përgjigjen autorët që i kanë shkruar. Nga ana tjetër, unë mendoj se veprimi juaj zoti ministër është i gabuar, sepse ju në mënyrë të gabuar involvoni Ministrinë e Jashtme. Ministria e Jashtme s’ka pse të involvohet me një artikull të tillë që bie ndesh me parimet e integrimit europian të vendit tonë. Çështja është paraqitur në mënyrë personale nga dy drejtuesit e mazhorancave në Shqipëri dhe Serbi. Kryeministri nuk erdhi, nuk guxon të përgjigjet.
Pra në 2 shkurt 2026, kryeministri Rama me bashkëautorsi të Vuçiç kanë publikuar një editorial në median gjermane, ku kanë bërë një propozim publik drejtuar BE-së për një qasje të re në procesin e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke hequr dorë nga një anëtarësim i plotë dhe duke u mjaftuar me një integrim të vendeve kandidate vetëm në tregun e brendshëm dhe zonën Shengen. Ky qëndrim i Ramës bie ndesh me qëndrimet historike që prej vendosjes së demokracisë në vendin tonë. Bie ndesh me rezolutat e miratuara më herët në Kuvend, ku shprehet qartësisht vullneti për anëtarësimin e plotë në BE. Ky artikull me ato që shpreh, shkel parimet e kuadrit negociator Shqipëri-BE dhe cënon interesat strategjike të Shqipërisë, të Kosovës dhe gjithë faktorit shqiptar në rajon.
Kur lexon këtë artikull, kupton krizën e thellë të regjimeve autokratike anti-europiane në rajonin tonë. Prandaj të dy bashkëautorët kërkojnë të fusin nga dritarja në atë familje qeverisjet e tyre anadollake, pasi hyrja nga porta do të ishte e pamundur pa realizuar thelbin e parimeve europiane. Kjo do të thoshte fundin e pushtetit të tyre. Prandaj kaluan në akrobaci. Ky artikull kërkon të legalizojë regjimet lindore, por kjo s’mund të ndodhë. Ajo është një tentativë ringjallje e projektit serb të Ballkanit të Hapur, i futur tashmë në arkivol. Një artikull ku aspiratat e shqiptarëve në rajon futen në një rrafsh me ato serbe. Këta kërkojnë të zhveshin BE-në nga vlerat mbi të cilat u themelua. Vërtetë mendoni se mund të hyjmë në BE në një karrocë me Serbinë? Serbia i ka sytë nga Rusia.
Hoxha: Në vitin 2013 ka qenë viti i fundit që BE u zgjerua. Zgjerimi nuk ka qenë më në qendër të agjendës europiane. Në kushtet e reja që përballet BE, zgjerimi shihet tashmë si një mjet për forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ky riorientim i pozicionit të BE-së ka nxitur një valë diskutimesh në nivel europian dhe rajonal. Nga modelet e integrimit gradual tek anëtarësimi i diferencuar apo faza e ndërmjetme e përfshirjes në politikë apo tregjeve të përbashkët, debati reflekton një përpjekje serioze për të gjetur një ekuilibër mes nevojës për zgjerim dhe kapacitetit të BE-së për të qenë eficente. Natyrshëm që situata të tilla komplekse kërkojnë kreativitet dhe vision. Ky është konteksti në të cilin duhet parë artikulli i botuar disa muaj më parë, çka zgjoi vëmendje, por që kërkon një lexim të qetë dhe racional. Thelbi është që artikulli nuk sfidon aspak objektivin e anëtarësimit të plotë të vendit në BE. Përkundrazi, ai synonte ta bënte këtë rrugë më të prekshme, më funksionale dhe më të besueshme për vendet aspirante dhe për vetë BE-në. Askund në atë artikull nuk bëhet fjalë për heqje dorë nga ky synim dhe për relativizimin e tij.
Aty propozohej një rrugë e përshpejtuar dhe fleksibël që lejon afrimin gradual me strukturat kryesore të BE-së përpara anëtarësimit, veçanërisht në fushat ekonomike të tregut të brenshëm dhe lëvizshmërisë, ndërkohë që procesi i anëtarësimit vazhdon natyrshëm në rrugën aktuale. Me shumë të drejtë vendet e Ballkani Perëndimor kanë një pritshmëri legjitime që të mos mbeten në atë zonën e pritjes pa fund. Dhe kjo krijon një nyjë që duhet adresuar. Këtu hyn ideja e asaj që është quajtur integrimi i përshpejtuar. Ajo nënkupton që vendet aspirante të përfitojnë më herët, përpara anëtarësimit, disa prej avantazheve kyçe të anëtarësimit në BE.
Lini një Përgjigje