Gazetari Lutfi Dervishi deklaroi se seanca parlamentare e kësaj të enjteje ishte ndryshe nga herët e tjera, duke e cilësuar Kuvendin “më normal” krahasuar me mënyrën si ka funksionuar deri tani.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2CNN, Dervishi komentoi votimin me konsensus të rezolutës për integrimin europian, ku mazhoranca dhe opozita bashkuan votat.
Sipas tij, gjatë seancës u vu re një përpjekje për të respektuar më shumë rregulloren parlamentare dhe për të krijuar një klimë më institucionale në Kuvend.
“Duke e ndjekur Kuvendin sot, pashë një Kuvend më normal se ç’e kam parë herët e tjera. Pashë, ndoshta për herë të parë, kryetari i Kuvendit përpiqet të zbatojë rregulloren edhe ndaj shumicës, se deri tani duket sikur rregullorja ishte vetëm për disiplinën e opozitës”, deklaroi Dervishi.
Gazetari solli si shembull edhe mënyrën sesi u menaxhua koha e diskutimeve në sallë.
“Pashë që nuk e kishte problem kohën, tha që grupi parlamentar i PS-së le t’i japë një minutë kryetarit të Partisë Demokratike. Pra, tregon një lloj përpjekjeje për të qenë një vend normal”, u shpreh ai.
Megjithatë, Dervishi theksoi se rezoluta e miratuar nxori në pah edhe problematika serioze në mënyrën sesi funksionon shteti dhe vetë Kuvendi.
Sipas tij, fakti që Parlamenti miraton rezoluta për të garantuar mbikëqyrjen e qeverisë apo zbatimin e vendimeve të gjykatave, tregon se institucionet po rikujtojnë funksione që duhet të ishin normale dhe të padiskutueshme.
“Cila është detyra e Kuvendit? Nga shpirti i del përfaqësuesit thotë ‘të bëjë ligje’ dhe harron misionin mbikëqyrës. Tani Parlamenti thotë ‘ne do të mbikëqyrim ekzekutivin’. Domethënë është si të shkosh në klasën e parë dhe të thuash do të bëjmë detyrat, do të mësojmë abetaren”, deklaroi Dervishi.
Ai u ndal edhe te pjesa e rezolutës që lidhet me respektimin e vendimeve të gjykatave, duke e cilësuar alarmues faktin që Kuvendi ndjen nevojën të votojë një angazhim të tillë.
“Pastaj thotë ‘ne do të zbatojmë vendimet e gjykatës’. Fundi i një shteti është kur nuk zbatohet vendimi i gjykatës. Shteti nuk funksionon kur vendimi i gjykatës nuk zbatohet. Tani Parlamenti del dhe bën rezolutë dhe votohet atje që do t’i zbatojmë vendimet e gjykatës”, u shpreh gazetari.
Në përfundim, Dervishi e cilësoi rezolutën si një lloj reflektimi të vetë politikës mbi mënyrën sesi kanë funksionuar institucionet deri tani.
Lini një Përgjigje