Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, pranoi se rezoluta për integrimin europian, e miratuar në Kuvend me 114 vota pro, erdhi si rezultat i bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës.
Gjatë një interviste televizive, Ekonomi tha se dokumenti ishte produkt i punës së përbashkët në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku janë përfshirë deputetë të të dyja palëve politike.
Ajo deklaroi se propozimet e opozitës janë marrë në konsideratë gjatë hartimit të rezolutës dhe e cilësoi procesin si një bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës për çështjen e integrimit europian.
Deputetja socialiste komentoi edhe raportimet për kontakte mes drejtuesve të grupeve parlamentare para votimit në Kuvend. Pa dhënë detaje konkrete, Ekonomi nuk e mohoi mundësinë e komunikimeve mes Taulant Ballës dhe Gazment Bardhit.
'Unë nuk përjashtoj që dy kryetarët e grupeve të bëjnë telefonata me njëri-tjetrin, sepse ky është një proces i vazhdueshëm. Kryetarët e grupeve komunikojnë edhe në mënyrë të hapur, por komunikojnë edhe për çështje pune, sikurse komunikojnë edhe në Byro, edhe në Konferencën e Kryetarëve, kështu që përgatitja e mbledhjes së Kuvendit është padyshim një moment ku janë të rëndësishme të gjitha ngjarjet që ndodhin dhe, siç e thamë në krye të herës, ky është një moment shumë i rëndësishëm. Rezoluta që bën Kuvendi i Shqipërisë për procesin e integrimit, për raportin e KE-së, është padyshim një moment i rëndësishëm, kështu që mënyra se si zgjidhet e organizohet puna, janë të gjitha të hapura.', tha deputetja.
Sipas saj, kontaktet mes kryetarëve të grupeve parlamentare janë pjesë normale e funksionimit të Kuvendit dhe zhvillohen si në mbledhje zyrtare, ashtu edhe për çështje organizative që lidhen me punën parlamentare.
Rezoluta për integrimin europian u miratua me votat e shumicës dhe opozitës, në një nga rastet e rralla të dakordësisë mes palëve në Kuvend. Në dokument theksohet angazhimi për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe reformat që kërkohen në administratë, ekonomi dhe sundimin e ligjit.
E pyetur nëse Partia Socialiste duhet të tërheqë akuzat e mëparshme ndaj PD-së për qëndrimet ndaj integrimit europian, Ekonomi u shpreh se ngjarjet politike të së kaluarës nuk mund të zhbëhen.
Lini një Përgjigje