Mesazhet mafioze të Ramës dhe “oponenca fake” në PS...

Nga Elisa Spiropali te Erion Braçe; zërat kritikë në PS po testohen mes kërcënimeve, spastrimeve dhe një partie që duket gjithnjë e më shumë e terrorizuar nga lidershipi i saj...
Kanë ndodhur brenda një dite dy zhvillime të njëkohshme brenda mazhorancës.
I pari ishte një postim i Ogerta Manastirliut, e cila në faqen e saj publikoi një takim të PS-së në një fshat të njësisë Farkë, ku pranë saj ishte Elisa Spiropali.
Në fotot e publikuara nga Manastirliu shfaqej një Elisë ndryshe: jo ajo luftëtarja e deklaratës së fundit, kur sfidonte Edi Raman që ta përjashtonte nga partia, pasi asaj nuk i duhej “llastimi”.
Përkundrazi, Manastirliu; si njeriu i Ramës në krye të PS-së së Tiranës, tentonte të përcillte imazhin e një Elise kokulur dhe lojaliste.
Ndërkaq, vetë Edi Rama, në intervistën e dhënë për Nikollë Lesin, shpërndau një mesazh edhe më të ashpër.
Të koduar, të përzgjedhur me kujdes, por dukshëm kërcënues, në stilin klasik të bosëve të mafies së vjetër.
I pyetur nga Nikollë Lesi, Rama deklaroi se paralajmërimi i Spiropalit;“më përjashto!”, ishte në fakt një “mesazh dashurie”, një thirrje për t’u afruar pas ftohjes.
Kjo deklaratë përbën një monstruozitet politik, sepse jo vetëm që Rama e ka paralajmëruar publikisht se, nëse kjo ndodh për herë të tretë, do ta ndëshkojë, por edhe e ka banalizuar angazhimin e saj politik.
Është mënyra tipike sesi një lider autoritar sillet me bashkëpunëtorët: angazhimin politik apo emërimin në poste publike e konsideron si indulgjencë personale të tij, dhe jo si një rrjedhë normale bashkëpunimi politik.
Tani është radha e Elisa Spiropalit për të treguar se cili është realisht pozicioni i saj politik në raport me lidershipin e partisë dhe nëse e ka seriozisht betejën që pretendon se ka nisur.
Por gjasat janë që nuk kemi të bëjmë me një betejë reale.
Një betejë politike nuk ka nevojë as për paralajmërime dhe as për 'cic-mice' mediatike, por për akte konkrete, të cilat zakonisht flasin më shumë sesa deklaratat.
Partia Socialiste në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në Tiranë, është sot një strukturë e terrorizuar, e përçarë dhe në shumicë e pakënaqur nga lidershipi i Edi Ramës.
Mbledhjet e PS-së së Tiranës janë të vakëta dhe me pjesëmarrje minimale. Një pjesë e madhe e anëtarësisë mungon apo refuzon të paraqitet si formë proteste. Kjo po ndodh pothuajse në të gjitha njësitë.
Në këto kushte, Edi Rama po tenton të përdorë joshjen e pushtetit, duke organizuar takime selektive vetëm me pjesë të organizatave dhe duke mos njoftuar anëtarët kritikë.
Madje, në njësinë numër 5, ku Erion Braçe është i ngarkuar politikisht, mbështetësit e tij janë mënjanuar dhe nuk janë njoftuar në tre mbledhjet e fundit.
E gjithë kjo është pjesë e aksionit të Ramës për të spastruar partinë nga kritikët, duke identifikuar se kush shkon pas kujt.
Në njësinë 5, përkrahësit e Erion Braçes janë shënuar “me rreth të kuq”, si në kohën e Emiliano Zapatës.
Ndërsa në njësinë 7 është larguar drejtuesi politik i zonës, përkatësisht kryetari i qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi.
Ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, është ngarkuar nga Rama për të drejtuar organizatën socialiste të njësisë 7, e cila konsiderohet si e treta më e rëndësishme në Tiranë pas njësisë 14 dhe njësisë 5.
Por deri tani, Gjonaj ka dështuar të riorganizojë PS-në në zonën e “21-shit” dhe Fushës së Aviacionit, ku pjesa më e madhe e anëtarësisë ka bojkotuar në mënyrë demonstrative takimet dhe ftesat që vijnë nga kupola qendrore.
Tani është koha për të gjithë ata që duan të nisin një betejë politike brenda PS-së.
Kushtet ekzistojnë. Njerëzit në bazë kanë shfaqur vullnet të plotë për një përballje. Ajo që mungon është angazhimi politik.
Jo vetëm nga Elisa Spiropali, Erion Braçe apo zëra të tjerë që paraqiten si “të lirë” dhe kritikë.
Askush nuk po u kërkon të dalin kundër partisë së tyre, edhe pse kjo nuk do të ishte ndonjë tragjedi.
Por nëse vazhdojnë të struken pas kërcënimeve të Edi Ramës, atëherë “oponenca” e tyre mbetet thjesht ‘fake’./Pamflet
Duhen dy karakteristika te thjeshta IDEALIZEM dhe GUXIM.Ne fakt nuk eshte e lehte te luftosh kete bande hajdutesh.Jane te gjithe te zhytur.