TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Maj 2026, 13:00

Berisha: “Diella” është mashtrim, Rama ka kryer krim kushtetues

Shkruar nga Pamfleti

Berisha: “Diella” është mashtrim, Rama ka kryer krim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj se kanë mashtruar opinionin publik me projektin “Diella”, të cilin e cilësoi si një “avatar bosh” pa asnjë element të inteligjencës artificiale.

Në një deklaratë nga selia blu, Berisha iu referua një investigimi të ekspertit ndërkombëtar Patrick Quirk, për të cilin tha se ka analizuar funksionimin e “Diellës” dhe ka arritur në përfundimin se ajo nuk ka “asnjë qelizë të vetme të urtësisë artificiale”.

Sipas Berishës, emërimi i “Diellës” si ministre virtuale përbën një “krim kushtetues” dhe një akt që, sipas tij, dëmton imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Ai shtoi se opozita kishte ngritur dyshime që në momentin e prezantimit të “Diellës”, duke e konsideruar projektin një “bllof” dhe një mënyrë për të maskuar, sipas tij, abuzimet financiare.

Berisha akuzoi gjithashtu presidentin Bajram Begaj për dekretimin e “Diellës” si ministre, duke thënë se “u përdhos Kushtetuta dhe morali i shtetit shqiptar”.

"Çdo gënjeshtër i ka këmbët e shkurtra. Çdo gënjeshtër është një turp, është në vetvete një amoralitet. Por gënjeshtrat në rang ndërkombëtar janë turp botëror.

Dhe këtu unë do denoncoj para shqiptarëve një turp botëror të Edi Ramës dhe Haram Begajt, të cilët do hyjnë në librin e Ginesit si mashtruesit më të pacipë të opinionit publik.

Kur nga vjeshta e kaluar, Edi Rama paraqiti para shqiptarëve dhe botës një avatar, Diellën si institucioni i inteligjencës artificiale, e emëroi ministër dhe e dekretoi ministër Haram Turpi, ne e ngritëm zërin, ne thamë se ky është një bllof dhe vetëm një bllof.

Se Diella është vetëm një mashtrim për të vjedhur disa milionë euro dhe asgjë tjetër.

Edi Rama e paraqiti ministrin Diella si të gjithëfuqishmin në luftën kundër korrupsionit.

Për fat të keq, mediat ndërkombëtare fillimisht u mashtruan nga ky bllof i turpshëm, nga ky akt i paprecedent në historinë e botës.

Ndërkohë që Diella nuk kishte asnjë lidhje me urtësinë artificiale, nuk kishte asnjë element të saj, ishte thjesht një avatar bosh, një bllof i Edi Ramës për të maskuar vjedhjet e tij të tmerrshme që do dëshmoheshin dhe që dëshmohen çdo ditë.

Për sa më sipër, falë një eksperti më të shquar të fushës ndërkombëtar, Patrick Quirk, i cili i ka kushtuar ditë dhe javë të tëra zbërthimit një për një të Diellës, ai nxjerr se ministrja Diella nuk ka absolutisht as edhe një qelizë të vetme të urtësisë artificiale. Zero!

Se është një avatar pa asnjë atribut për korrupsionin, pa asnjë ndërfaqe, etj, etj. Një shkrim i gjatë i një profesionisti të përgjegjshëm, ndërkombëtarisht të njohur në këtë fushë, nxjerr në pah të gjithë shëmtinë e mashtrimit Rama-Begaj, të cilët përdhosën Kushtetutën, përdhosën moralin e shtetit shqiptar, mashtruan shqiptarët dhe botën duke emëruar një ministre, një bot pa asnjë funksion për korrupsionin, pa asnjë atribut, pa asnjë aftësi. Ky është një krim i shëmtuar kushtetues. Kjo është një damkosje tjetër e imazhit të Shqipërisë në Evropë dhe botë.", tha Berisha.

Lini një Përgjigje