Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka rikthyer në vëmendje në Kuvend zhvillimet e fundit në Sarandë, ku disa drejtues të komisariatit u arrestuan dhe të tjerë u shkarkuan, pasi dyshohet se kishin marrë ryshfete dhe kishin lejuar ndërtime pa leje të lidhura me elementë kriminalë.
Nga foltorja e Kuvendit, Zhupa deklaroi se situata e kriminalitetit në Sarandë është alarmante dhe akuzoi qeverinë për mungesë reagimi.
“I gjithë Kuvendi e njeh gjendjen e rëndë kriminale në Sarandë. U arrestua shefi i komisariatit dhe disa të tjerë të komisariatit, ndërsa ky Parlament dhe kjo qeveri bëjnë sikur nuk dinë asgjë. Ka qenë raporti i Prokurorit të Përgjithshëm në këtë sallë që ka thënë se kriminaliteti më i lartë është në Sarandë. Çfarë mase u mor? Asnjë masë. Ishte patronazhist i qeverisë”, tha Zhupa.
Deputetja demokrate theksoi gjithashtu se Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme pa bashkëpunimin e Policisë Bashkiake dhe IMT-së.
“Nëse nuk e dini, po ju informoj që Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme pa Policinë Bashkiake dhe IMT. Drejtori i Policisë Bashkiake është një i shkarkuar nga policia, i dënuar se ka marrë ryshfet nga trafikantët dhe është drejtor në Policinë Bashkiake”, u shpreh ajo.
Zhupa akuzoi edhe drejtuesit vendorë për mungesë përgjegjësie dhe lidhje me personat e përfshirë në skandal.
“Ti bie telefonit të IMT-së në Sarandë, nuk e hap askush sepse ka ikur në drejtim të paditur. Shkoi ministri dhe i mori në krah këta njerëz që ishin pjesë e grupit të strukturuar që merrnin ryshfete dhe e kanë kthyer Sarandën në skenë krimi”, deklaroi Zhupa.
Lini një Përgjigje