Kryeministri Edi Rama ka shmangur deri më sot interpelancat e kërkuara nga opozita, ndërsa ua ka deleguar ato ministrave të ndryshëm.
Në rendin e ditës të seancës plenare të kësaj të enjteje janë parashikuar 9 interpelanca dhe një seancë pyetje-përgjigje. Ashtu si në seancat e mëparshme, opozita kërkon praninë në sallë të kryeministrit Edi Rama, ndaj të cilit janë depozituar dy kërkesa për interpelancë.
Partia Demokratike kërkon shpjegime nga Rama lidhur me situatën demografike në vend, bazuar në të dhënat që disponon qeveria, duke ngritur shqetësimin për emigrimin e shqiptarëve. Nga ana tjetër, Partia Mundësia kërkon sqarime për ndryshimet në funksionimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), e cila tashmë ka të drejtë të negociojë dhe të lidhë kontrata me kompani ajrore, rrjete hotelerie dhe agjenci udhëtimi nën klauzola konfidencialiteti.
Për ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, janë kërkuar dy interpelanca nga deputetët Sajmir Korreshi dhe Erisa Xhixho, si edhe një seancë pyetje-përgjigje nga deputeti Erald Kapri.
Ndërkohë, deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar dy interpelanca me ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi. Njëra lidhet me cilësinë e materialeve të ndërtimit, veçanërisht për fasadat dhe instalimet e brendshme në godinat e banimit, ndërsa tjetra ka të bëjë me ecurinë e projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, i financuar përmes marrëveshjes së huasë me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), të nënshkruar në vitin 2008.
Një tjetër interpelancë është kërkuar nga deputetët Erald Kapri dhe Agron Shehaj me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla. Po ashtu, deputetja Ina Zhupa ka kërkuar përballje në Kuvend me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, do të përballet me një interpelancë të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike lidhur me emigracionin ilegal dhe trafikun e qenieve njerëzore gjatë dy viteve të fundit, si dhe masat e ndërmarra për forcimin e kontrollit në kufijtë tokësorë dhe detarë.
Një tjetër pikë e rëndësishme në rendin e ditës është edhe miratimi i ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, për të cilat opozita dhe mazhoranca kanë arritur konsensus dhe pritet t’i votojnë së bashku.
Kryeministri Edi Rama ka shmangur deri më sot interpelancat e kërkuara nga opozita, ndërsa ua ka deleguar ato ministrave të ndryshëm. Por këtë seancë, ashtu sikundër është paralajmëruar opozita nuk do të pranojë delegimin e interpelancave. Kreu demokrat Sali Berisha ka porositur Grupin Parlamentar që të mos pranojë asnjë delegim të interpelancës së Kryeministrit, me argumentin se nëse ndodh kjo, atëherë nuk është çudi që në Kuvend të japin llogari drejtorët, pasi edhe ministrave do iu lindë e drejta për të deleguar.
Kjo pikë ndoshta mund të krijojë tensione në sallë, edhe pse po në rendin e ditës së punimeve është miratimi i Rregullores së re të Kuvendit, ku si PD edhe PS pritet të dakordësojnë qëndrimet. Kjo do të thotë se çdo zhurmë që mund të krijohet në fillim të seancës mund të zgjasë disa minuta, pasi në përfundim palët mund të bashkojnë votat sa i takon rregullores.
Nëse kjo ndodh do të jetë konsensusi i dytë mes PS dhe PD në sallën e Parlamentit, brenda pak ditësh, pas miratimit të rezolutës për procesin e integrimit të vendit në BE. Rama iroinizoi qëndrimin e opozitës sa i takon integrimit, ndërsa PD u shpreh se në rezolutë u përfshinë qëndrimet e saj, lidhur me hapat që duhen ndjekur.
Rendi i ditës
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 21.5.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 14.5.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5. Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
6. Interpelancë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Saimir Korreshi.
7. Interpelancë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.
8. Seancë pyetje - përgjigje me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
9. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
10. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
11. Interpelancë me Ministren e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
12. Interpelacë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
13. Projektligj "Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për punimet e infrastrukturës bashkiake për projektin "Porta e Alpeve""".
14. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 72/2012, "Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar".
15. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29/2024, "Për burimet ujore", të ndryshuar".
16. Projektvendim "Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004, "Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar".
17. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
“Korrupsioni është armiku i Republikës. Dhe të korruptuarit duhen goditur pa asnjë rrethanë lehtësuese, pa asnjë mëshirë. Të japësh solidaritet për arsye miqësie apo partie do të thotë të bëhesh bashkëpunëtor i këtyre njerëzve të korruptuar.” (Sandro Pertini) ______________________ Sandro Pertini me këtë thënie donte të theksonte se korrupsioni është një rrezik për vetë shtetin dhe demokracinë. “Republika” këtu nënkupton shtetin, ligjin, institucionet dhe besimin e qytetarëve. Sipas tij, korrupsioni i shkatërron këto sepse: njerëzit humbasin besimin te drejtësia, pushteti përdoret për interesa private, ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë. “Të korruptuarit duhen goditur pa asnjë mëshirë...” nuk nënkupton dhunë fizike, por ndëshkim të fortë ligjor dhe moral, pa mbrojtje politike, pa justifikime dhe pa favorizime. “Të japësh solidaritet për arsye miqësie apo partie...” dmth ai kritikon zakonin që njerëzit mbrojnë një të korruptuar vetëm sepse është mik, pjesë e partisë së tyre, ose “njeriu i tyre”. Sipas Pertinit, kush mbron korrupsionin për interesa personale apo politike bëhet pjesë e problemit, pra “bashkëpunëtor”. ______________________ Sandro Pertini lindi në 25 shtator 1896, ishte një politikan socialist italian, antifashist dhe President i Republikës së Italisë nga 9 korriku 1978 deri më 29 qershor 1985. Ai konsiderohet ende sot si një nga presidentët më të respektuar dhe më të dashur në historinë italiane. Ai lindi në vitin 1896 në Liguria të Italisë dhe mori pjesë në Luftën e Parë Botërore. Më pas u bë aktiv kundër regjimit fashist të Benito Mussolini. Për shkak të aktivitetit antifashist u arrestua disa herë, u burgos dhe madje u dënua me vdekje gjatë Luftës së Dytë Botërore, por arriti të shpëtonte dhe iu bashkua rezistencës partizane italiane. Pas luftës ai ndihmoi në ndërtimin e Republikës Italiane dhe në hartimin e kushtetutës së re. Si president u bë simbol i ndershmërisë, thjeshtësisë dhe luftës kundër korrupsionit e mafies. Shumë italianë e kujtojnë edhe për karakterin e drejtpërdrejtë dhe afërsinë me njerëzit e zakonshëm. Në Itali shpesh quhet: “Presidenti i të gjithë italianëve.”