Maqedonia e Veriut i dorëzon Tiranës demarsh verbal për reagimet e ambasadorit Denion Meidani; pala shqiptare ngre shqetësim për ndalimin e studentëve nga Tirana
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë hyrë në një moment tensioni, pasi Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka thirrur për sqarime ambasadorin shqiptar Denion Meidani lidhur me deklaratat e tij publike në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Burime nga MPJ e Maqedonisë së Veriut bëjnë me dije për Euronews Albania se gjatë ditës së sotme është zhvilluar një takim zyrtar në ministri, ku palës shqiptare i është dorëzuar një demarsh verbal për atë që Shkupi e konsideron “komunikim të papërshtatshëm diplomatik”.
Në takim nuk ka marrë pjesë vetë ambasadori Meidani, por zëvendësambasadori shqiptar.
“I është dorëzuar një demarsh verbal lidhur me deklaratat e papërshtatshme publike të ambasadorit gjatë periudhës së fundit, të cilat lëvizin afër kufirit mes komunikimit të zakonshëm dhe legjitim diplomatik dhe ndërhyrjes së mundshme në punët e brendshme të vendit të akreditimit”, citohet të kenë deklaruar burimet nga MPJ-ja maqedonase.
Reagimi i Shkupit vjen pas deklaratave publike të ambasadorit shqiptar në mbështetje të studentëve shqiptarë që protestojnë për të drejtën e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Një ditë më parë, Denion Meidani reagoi publikisht pas ndalimit dhe kontrollit të një autobusi me studentë shqiptarë nga Tirana që udhëtonin drejt Shkupit për të marrë pjesë në protestën studentore.
“Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon”, deklaroi Meidani.
Ambasadori shqiptar theksoi se studentët nuk po kërkojnë privilegje, por respektimin e të drejtave themelore dhe përdorimin e gjuhës amtare.
“Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore. Një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim”, u shpreh ai.
Ndërkohë, gjatë takimit diplomatik, pala shqiptare ka ngritur shqetësimin për mënyrën e trajtimit të rreth 40 studentëve shqiptarë që udhëtonin nga Tirana drejt Shkupit.
Te perbuzur edhe nga shulët. Ata na vodhën biologji, gjeografinë dhe historine. Tani na bejne te fortin. Sepse ne kemi Saleh e Ramut dhe bastarde tjere militant te tyre, skajshmërisht antishqiptar. Ku te kane katandisur keshtu, o Shqiperi!