TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Maj 2026, 20:20

PD dhe PS tjetër konsenus, arrijnë dakordësinë për Rregulloren e Kuvendit

Shkruar nga Pamfleti
PD dhe PS tjetër konsenus, arrijnë dakordësinë për
Berisha-Rama

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur një draft të përbashkët për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, i cili pritet të miratohet nesër në orën 09:00 në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren.

Sipas gazetarit Osman Stafa, relatorët e dy forcave politike kanë përmbyllur negociatat, ku socialistët kanë tërhequr disa prej propozimeve më të debatueshme, ndërsa opozita ka arritur të imponojë disa nga kërkesat e saj kryesore.

Një nga pikat ku PS ka bërë tërheqje është propozimi që projektligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian të kalonin me procedurë të përshpejtuar brenda një jave. Po ashtu, socialistët kanë hequr dorë edhe nga ideja për përgjysmimin e kohës së diskutimeve në seancat plenare.

Sipas draftit të dakordësuar, është rrëzuar edhe propozimi që institucionet kushtetuese të mos raportonin në seancë plenare. Në këtë rast është pranuar kërkesa e PD-së që raportimi në Kuvend të mbetet detyrim për çdo institucion kushtetues.

Po ashtu, PS është tërhequr edhe nga ideja që raportimet e institucioneve të përqendroheshin vetëm në Komisionin Xhafaj, duke pranuar që raportimet vjetore të zhvillohen në komisionet parlamentare sipas fushës përkatëse.

Nga ana tjetër, opozita ka arritur të fusë disa mekanizma të rinj që lidhen me kontrollin parlamentar dhe funksionimin e komisioneve.

Sipas draftit, Kryetari i Kuvendit do të jetë i detyruar të ndërhyjë në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen deputetëve për kërkesat për informacion. Nëse afatet shkelen, kreu i Kuvendit do t’i kërkojë institucionit përgjigje brenda 5 ditësh, ndërsa në rast mosreagimi do të kërkohet marrja e masave disiplinore deri në shkarkim ndaj titullarëve përgjegjës.

Një tjetër ndryshim i pranuar është detyrimi i kryetarëve të komisioneve parlamentare që, kur kërkohet nga pakica, të thërrasin mbledhje ose seanca dëgjimore brenda dy ditëve.

Drafti parashikon gjithashtu që seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar dhe të vijojë ditën pasardhëse.

1. Pikat ku u tërhoq PS

a) PS u tërhoq nga propozimi që çdo projektligj i kërkuar nga BE të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.


b) PS u tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare.

c) PS u tërhoq nga propozimi që institucionet kushtetuese të mos raportonin në seancë plenare, duke pranuar qëndrimin e PD-së se raportimi në Kuvend duhet të bëhet nga çdo institucion që ka detyrim kushtetues për raportim.


d) PS u tërhoq edhe nga propozimi që të gjitha institucionet të raportonin vetëm në Komisionin Xhafaj, duke pranuar qendrimin e PD, që raportimet vjetore të bëhen në komisionet përgjegjëse sipas fushës.

2. Pikat që u pranuan nga PD:

a) U pranua propozimi i PD-së që forcon kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion. Sipas ndryshimit të pranuar:
– Kryetari i Kuvendit detyrohet t’i kërkojë institucionit përgjigje brenda 5 ditëve nga kalimi i afatit;
– në rast mosreagimi, i kërkohet titullarit të institucionit marrja e masave disiplinore deri në shkarkim.

b) U pranua propozimi i PD-së që kryetarët e komisioneve, kur kërkohet nga pakica parlamentare, të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje komisioni ose seanca dëgjimore me titullarë institucionesh brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës.

c) U pranua propozimi i PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse.

d) U pranua propozimi që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Masat disiplinore nuk do llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike. Sekretariati i Etikës me numër të barabartë anëtarësh.

rama berisha pd rregullorja

Lini një Përgjigje