Ish-Presidenti Ilir Meta komentoi raportin e tij me kryeministrin Edi Rama dhe u pyet nëse do ta takonte atë nëse do të gjendeshin përballë njëri-tjetrit.
Në një intervistë nga qelia e paraburgimit, Meta deklaroi se nuk i shmanget askujt dhe se përballë qytetarëve shqiptarë do të jetë gjithmonë “ballëhapur”.
“Unë dal përballë cilitdo dhe as nuk e ndërroj rrugën dhe as nuk i ul sytë. Përpara shqiptarëve do të jem gjithmonë ballëhapur sepse kam mbrojtur interesin kombëtar dhe demokracia për mua është interes kombëtar. Koha do tregojë se kush ka llogari për të larë me këtë popull”, tha ai për "A2 CNN".
Teksa ka folur për kryeministrin Rama, kreu i Partisë së Lirisë tha se ata kanë karaktere të ndryshme.
“Ne jemi karaktere të ndryshme, ai është karakteri i akrepit, unë jam karakteri i shqiponjës”, u shpreh Meta.
Ish-Presidenti foli edhe për periudhën e bashkëpunimit politik me Ramën, duke deklaruar se sipas tij, ndryshimi i sjelljes së kryeministrit erdhi pasi “korruptoi” ish-kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Unë e njoh z.Rama, edhe s’dua t’i vë faj, Rama ka qenë qengj i urtë shumë, kur ka qenë ministër, kur ka qenë vartës, biles edhe kur ka qenë kryeministër në koalicion, ai vinte çdo ditë në orën 10:00 te Parlamenti. Derisa korruptoi Lulin dhe i mori të gjitha pushtetet dhe nxori fytyrën e vërtetë, që është në ADN-në e tij. Nuk mund t’i vëmë faj Ramës pse bleu ata që u shitën”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje