Këshilli për Rregulloren në Kuvendin e Shqipërisë miratoi me konsensus ndryshimet në Rregulloren e re, duke i dhënë fund kështu një debati që prej muajsh kishte krijuar jo pak kaos dhe përplasje në sallën e Parlamentit.
Në rregulloren e re është saktësuar gjithashtu se 1 deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidaturë sa i takon propozimeve për institucionet e pavarura, duke i dhënë kështu fund një praktike që është përdorur deri më tani, ku firmat e deputetëve përdoreshin për të plotësuar numrin e deputetëve që zakonisht duhet si mbështetje për kandidaturat që paraqiteshin.
Një tjetër ndryshim ka të bëjë me mënyrën se si do të raportojë në Kuvend, drejtuesi i SPAK-ut. Referuar Rregullores së Re, kreu i SPAK nuk do të raportojë më në seancë plenare, por vetëm para dy komisioneve, atij të Ligjeve dhe Mbikqyrjes institucionale.
PD nuk arriti të merrte ndryshimin e komisioneve, gjithashtu Sekretariati i Etikes do të ketë një sekretar dhe 5 anëtarë, ku numri do të jetë i barabartë mes PS dhe PD, por kur rezultati mund të ndahet 3 me 3, dhe do të vendosë vota e sekretarit që do të jetë i PS.
Pikat kryesore ku u tërhoq PS dhe çfarë u pranua nga PD
1. Pikat ku u tërhoq PS
a) PS u tërhoq nga propozimi që çdo projektligj i kërkuar nga BE të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.
b) PS u tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare.
c) PS u tërhoq nga propozimi që institucionet kushtetuese të mos raportonin në seancë plenare, duke pranuar qëndrimin e PD-së se raportimi në Kuvend duhet të bëhet nga çdo institucion që ka detyrim kushtetues për raportim.
d) PS u tërhoq edhe nga propozimi që të gjitha institucionet të raportonin vetëm në Komisionin Xhafaj, duke pranuar qendrimin e PD, që raportimet vjetore të bëhen në komisionet përgjegjëse sipas fushës.
2. Pikat që u pranuan nga PD:
a) U pranua propozimi i PD-së që forcon kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion. Sipas ndryshimit të pranuar:
- Kryetari i Kuvendit detyrohet t’i kërkojë institucionit përgjigje brenda 5 ditëve nga kalimi i afatit;
- në rast mosreagimi, i kërkohet titullarit të institucionit marrja e masave disiplinore deri në shkarkim.
b) U pranua propozimi i PD-së që kryetarët e komisioneve, kur kërkohet nga pakica parlamentare, të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje komisioni ose seanca dëgjimore me titullarë institucionesh brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës.
c) U pranua propozimi i PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse.
d) U pranua propozimi që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Masat disiplinore nuk do llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike. Sekretariati i Etikës me numër të barabartë anëtarësh.
Lini një Përgjigje