TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Maj 2026, 10:35

Rama në 'fluturim', shtyhet agjenda e Kuvendit/ Si dështuan interpelancat

Shkruar nga Pamfleti
Rama në 'fluturim', shtyhet agjenda e Kuvendit/ Si dështuan
Kuvendi

Peleshi ka komunikuar se interpelanca e kërkuar nga opozita me Kryeministrin Edi Rama është shtyrë.

Kuvendi ka dështuar të zhvillojë interpelancat e kërkuara nga opozita me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari.

Në seancë është vendosur që interpelancat të zhvillohen në një tjetër moment, ndërsa duket se palët ishin dakordësuar për këtë vendim, për shkak se nuk pati debate.

Shkaku për shtyrjen e interpelancave me Kryeministrin, që ishin kërkuar nga deputetët e PD-së dhe ato të partisë Mundësia, është bërë mungesa e Edi Ramës në seancë. Ky i fundit sipas raportimeve zyrtare ndodhet për vizitë në Korenë e Jugut, në vijim të një turi, që prej ditësh po e mban kreun e Qeverisë në ‘fluturim’. Po kështu Lamallari nuk ishte i pranishëm në seancë, duke bërë që dy nga interpelancat më të rëndësishme janë shtyrë.

PD kërkon nga Rama një përgjigje mbi situatën demografike të Shqipërisë sipas të dhënave që disponon qeveria, duke ngritur shqetësimin e emigrimit të shqiptarëve. Ndërsa Partia Mundësia kërkon nga kreu i qeverisë shpjegime për ndryshimet në funksionimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), duke i dhënë kësaj të fundit të drejtën për të negociuar dhe lidhur kontrata me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi nën klauzola konfidencialiteti.

Gjithashtu, deputetët e PD-së, kërkojnë nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, sqarime për emigracionin ilegal dhe trafikut të qenieve njerëzore gjatë dy viteve të fundit në vend, dhe masat konkrete të marra për forcimin e kufijve tokësorë dhe detarë.

Një ditë më parë, kreu i PD-së Sali Berisha u kërkoi deputetëve demokratë të mos pranojnë delegimin e interpelancave te ministrat, por të insistojnë që ato të zhvillohen vetëm në praninë e kryeministrit Rama.

Më tej, rendi i ditës dy interpelanca dhe një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Shëndetësisë Evis Sala, dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, si dhe nga një interpelancë me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro dhe ministrin e Bujqësisë Andis Salla.

Një tjetër pikë e rëndësishme në rendin e ditës është edhe miratimi i ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, për të cilat opozita dhe mazhoranca kanë arritur konsensus dhe pritet t’i votojnë së bashku.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka shmangur deri më sot interpelancat e kërkuara nga opozita, ndërsa ua ka deleguar ato ministrave të ndryshëm. Por këtë seancë, ashtu sikundër është paralajmëruar opozita nuk do të pranojë delegimin e interpelancave. Kreu demokrat Sali Berisha ka porositur Grupin Parlamentar që të mos pranojë asnjë delegim të interpelancës së Kryeministrit, me argumentin se nëse ndodh kjo, atëherë nuk është çudi që në Kuvend të japin llogari drejtorët, pasi edhe ministrave do iu lindë e drejta për të deleguar.

Kjo pikë ndoshta mund të krijojë tensione në sallë, edhe pse po në rendin e ditës së punimeve është miratimi i Rregullores së re të Kuvendit, ku si PD edhe PS pritet të dakordësojnë qëndrimet. Kjo do të thotë se çdo zhurmë që mund të krijohet në fillim të seancës mund të zgjasë disa minuta, pasi në përfundim palët mund të bashkojnë votat sa i takon rregullores.

Nëse kjo ndodh do të jetë konsensusi i dytë mes PS dhe PD në sallën e Parlamentit, brenda pak ditësh, pas miratimit të rezolutës për procesin e integrimit të vendit në BE. Rama iroinizoi qëndrimin e opozitës sa i takon integrimit, ndërsa PD u shpreh se në rezolutë u përfshinë qëndrimet e saj, lidhur me hapat që duhen ndjekur.

kuvendi edi rama

1 Komente

  1. V
    Visi

    Ore gazetare te nderuar! A nuk ju vret syte qe eshte salla bosh vazhdimisht! Si i marrin leket keta kur nuk shkojne ne pune? Kjo eshte absurde!

    Lini një Përgjigje