Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj thotë se e ata që kërkojnë ndryshim në politikë nuk mund t’i kërkojnë njëkohësisht rikthimin te Sali Berisha dhe Partia Demokratike.
Në një intervistë përballë Nikoll Lesit, ai foli për rrugëtimin e forcës politike që drejton dhe objektivat për zgjedhjet e ardhshme.
Shehaj tha se partia është krijuar nga zero dhe se brenda dy vitesh ka arritur të sigurojë përfaqësim në Kuvend me dy deputetë.
“Ne kemi krijuar një projekt politik nga zero dhe brenda 2 viteve arritëm që të jemi në Parlament me 2 deputetë. Në Tiranë morëm 6% të votave dhe në total 3%”, tha ai.
I pyetur nëse synon të sigurojë të paktën 10 mandate në zgjedhjet e vitit 2029 për t’u kthyer në faktor qeverisës, Shehaj u shpreh se rritja politike kërkon kohë dhe punë të vazhdueshme.
Ai theksoi se ndryshimi nuk vjen menjëherë dhe se qytetarët duhet të mbështesin alternativa të reja politike nëse kërkojnë transformim të skenës politike.
Gjatë debatit, Nikoll Lesi përmendi mundësinë e krijimit të partive të tjera të reja, ndërsa Shehaj u përgjigj se konkurrenca është e hapur për këdo që kërkon ndryshim. Sipas tij, nuk ka kuptim që njerëzit të kërkojnë ndryshim dhe njëkohësisht t’i kërkojnë atij rikthimin në PD.
“Po le të dalin. Dhe ata që duan ndryshimin, nuk duhet të thonë që ‘Ti Agron kthehu te PD’, sepse ky nuk është ndryshim. Tani edhe duan ndryshim, edhe duan që të kthehem tek Berisha”, deklaroi Shehaj.
Lini një Përgjigje