Kryeministri Rama ka sulmuar opozitën, duke e cilësuar atë si një “katastrofë ambulante”. Sipas tij, vakumi i krijuar nga opozita mund të sjellë energji negative dhe mund të pengojë rrugën e qeverisë.
Gjatë fjalës së mbajtur në asamblenë e Partisë Socialiste në Elbasan, Rama theksoi se aktualisht shumica socialiste nuk vihet në diskutim, pasi nuk ka zgjedhje parlamentare në horizont, ndërsa procesi i ardhshëm elektoral mbeten zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
“Vakumi i krijuar për shkak se opozita zyrtare është një katastrofë ambulante mund të mbushet me negativitet dhe me një energji që mund të na pengojë në këtë rrugë. Këtu nuk është çështja e aritmetikës, as se kemi përpara zgjedhjeve, sepse ne nuk kemi përpara zgjedhje, përveçse në vitin e ardhshëm kur do të bëhen zgjedhjet vendore, por ato kanë rëndësinë e tyre, por nuk vënë në pikëpyetje shumicën tonë prej 83 mandatesh”, deklaroi kryeministri.
Ai tha gjithashtu se situata politike dhe klima publike nuk duhet të ndikojnë në uljen e përgjegjësisë së socialistëve, ndërsa kërkoi më shumë angazhim dhe komunikim me anëtarësinë dhe qytetarët.
“Por nuk duhet që kjo atmosferë të vërë në pikëpyetje peshën e përgjegjësisë për secilin prej nesh. Unë kam kërkuar që ne të jemi shumë më afër anëtarësisë dhe të bisedojmë për çështjet e mëdha politike, shoqërore, ndërkohë që ne duhet të flasim me të gjithë pse duhet të jenë krenarë që janë pjesë e kësaj familje politike”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje