Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me rritjen e kostos së jetesës dhe çmimeve në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë për ndërtimin e një sistemi ekonomik që, sipas saj, favorizon një pakicë të lidhur me pushtetin dhe rëndon qytetarët.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se gjatë gjithë javës ka zhvilluar takime me qytetarë, pensionistë, familje të shtresës së mesme dhe përfaqësues të bizneseve, ndërsa shqetësimi kryesor i ngritur prej tyre ka qenë rritja e çmimeve dhe vështirësia për të përballuar jetesën e përditshme.
“Çdo derë që kam trokitur këtë javë, çdo biznes, çdo pensionist dhe çdo familje e mesme kishte vetëm një shqetësim: koston e lartë të jetesës dhe çmimet e papërballueshme”, shprehet Tabaku në videon e publikuar.
Sipas deputetes demokrate, Shqipëria po bëhet çdo ditë më e shtrenjtë dhe më e vështirë për shumicën e qytetarëve. Ajo deklaroi se gjatë 10 viteve të fundit çmimet janë rritur me 51.1%, ndërsa të ardhurat, sipas saj, kanë njohur vetëm rritje minimale.
“Shqipëria sot është një nga vendet më të shtrenjta dhe më të papërballueshme në rajon”, deklaroi Tabaku.
Deputetja e PD e lidhi këtë situatë me modelin ekonomik të kapur nga interesa të ngushta, monopole dhe mungesë konkurrence.
“Sot kemi një sistem ekonomik që në çdo ligj që kalon parlamenti fut duart në xhepat e qytetarëve. Në çdo vendim mendohet për pakicën dhe jo për shumicën”, deklaroi ajo.
Tabaku akuzoi gjithashtu qeverinë se përmes taksave të larta, ligjeve speciale dhe politikave fiskale favorizon një grup të vogël njerëzish të lidhur me pushtetin, ndërsa rëndon qytetarët dhe bizneset e zakonshme.
Deputetja demokrate theksoi gjithashtu se ndryshimi i këtij sistemi ekonomik mbetet objektivi i saj politik dhe se do të vijojë takimet me qytetarët në terren.
“Këtë sistem duhet ta ndryshojmë dhe nuk do të lodhem çdo ditë të trokas në çdo derë deri kur t’ia arrijmë”, përfundon Tabaku në reagimin e saj.
Po por per qytetaret dhe jo per Tabakun etabakerit e PD qe jetojnë ne luks te pajustifikuar.
Ka nje thenie te nje individi te mencur,rruaju nga njeriu me pamje engjelli,kur ai shfaqet me fytyre engjelli! Femer vecanerisht,eshte djall! Kjo eshte Jorida Tabaku