Kryeparlamentari Niko Peleshi iu është përgjigjur akuzave të deputetit demokrat Gazment Bardhi lidhur me sjelljen e kryeministrit Edi Rama në Kuvend dhe mungesën e tij në interpelancat e kërkuara nga opozita. Gjatë seancës plenare, Peleshi deklaroi se nuk bëhet fjalë për asnjë shkelje të Kushtetutës apo të rregullores së Kuvendit, ndërsa i dha Bardhit 10 minuta kohë për t’u shprehur në sallë.
Në të njëjtën kohë, kryeparlamentari paralajmëroi deputetin demokrat për gjuhën e përdorur gjatë debatit, duke i dhënë masën disiplinore “tërheqje vëmendjeje”.
“Së pari, tonaliteti nuk ju bën të keni të drejtë. Shkundja me dorë gjithashtu nuk ju jep të drejtë. Më ke qëlluar ti në ditën e parë me Kushtetutën dhe unë e kapa në ajër, atë përdor. Me shkrim ju kam çuar raportin në përgjigje të të gjitha shqetësimeve tuaja dhe e di që mund të jetë e hidhur kur shifrat përballen me shifrat, por kjo është demokracia. Lidhur me interpelancën e kërkuar, nuk ka shkelje të rregullores, larg qoftë të Kushtetutës sepse je njoftuar brenda orarit të punës dhe keni kërkuar të shpreheni 10 minuta. Fjalën tuaj këtu do ta zhvesh nga gjithë përmbajtja politike dhe po e marr si kërkesë për t’u shprehur këtu 10 minuta. Nuk është provokim, përkundrazi po u shmangem. Për fjalor jo parlamentar, merrni masën disiplinore tërheqje vëmendjeje”, tha Peleshi.
Bardhi deklaroi se Peleshi duhet të kishte detyruar kryeministrin Edi Rama të paraqitej në Kuvend për të dhënë llogari, ndërsa paralajmëroi se tre kërkesat e refuzuara për interpelancë do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese.
Lini një Përgjigje