Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, gjatë fjalës së tij në Kuvend u ndal te marrëveshja e nënshkruar me AADF për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, duke akuzuar qeverinë se e ka paraqitur atë si një institucion amerikan.
Boçi deklaroi se, sipas një përgjigjeje të ambasadës amerikane, AADF është një institucion i pavarur dhe jo një strukturë nën mbikëqyrjen e Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tij, qeveria po e përdor këtë çështje për propagandë, ndërsa e cilësoi projektin si klientelist.
“Zoti Shehaj kërkon zbatimin e rregullores, të njëjtën gjë që unë kërkova seancën e kaluar kur mora edhe përjashtimin. Unë kam dëgjuar kryeministrin dje që në një takim krenar përcaktonte se agjencia e shërbimeve arsimore është bërë një institucion amerikan dhe ne anti amerikanët e kemi kundërshtuar një gjë të tillë. Por ka një përgjigje të ambasadës amerikane në lidhje me AADF, dhe kërkesa është nga një qytetare e Durrësit e interesuar për projektin TID. Dhe në përgjigje përcaktohet se AADF është institucion i pavarur ku Departamenti i Shtetit nuk ka asnjë rol mbikëqyrës. Pra lërini përrallat me amerikanë , sepse thjesht e ka marrë një privat, klientelistë të ministres së Arsimit. Po blen një teleskop në Arizona po e çojmë në Elbasan dhe po i themi gjithë Shqipërisë po e çojmë NASË-n te ura e Zaranikës”, tha Boçi.
Lini një Përgjigje