Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në ligjin për portet turistike, duke i hapur rrugë investitorëve strategjikë që të ndërtojnë këto struktura pa iu nënshtruar procedurës së koncesionit. Projektligji kaloi me 76 vota pro dhe 26 kundër, ndërsa opozita e kundërshtoi në bllok.
Ndryshimi ligjor parashikon që subjektet me status “investitor strategjik” të mos jenë më të detyruara të ndjekin procedurën e koncesionit për ndërtimin e porteve turistike. Aktualisht, sipas ligjit në fuqi, portet ndërtohen nga privati, por pas një periudhe të caktuar i kalojnë shtetit. Me amendimin e ri, porti mbetet pronë e përhershme e investitorit.
Propozimi, i ardhur nga deputetja socialiste Zamira Sinaj, shkaktoi debate të forta në Kuvend. Mazhoranca e mbrojti nismën, duke theksuar se ajo synon të nxisë zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e investimeve. Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, argumentoi se ndryshimet do të sjellin një “frymë të re” në sektor.
Në anën tjetër, opozita e konsideroi draftin si një ligj të favorizuar për interesa të caktuara. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se bëhet fjalë për një ligj “me porosi”, që sipas tij u shërben biznesmenëve të lidhur me qeverinë.
Vetë propozuesja e ligjit theksoi se qëllimi i ndryshimeve është thjesht lehtësimi i procedurave dhe rritja e investimeve në sektorin turistik. Ajo e justifikoi ligjin si lëvizje për të mos lejuar largimin e Jared Kushner nga Sazani. Sipas saj, dhëndri i Trup rrezikon largimin dhe si duket tani ai do të “marrë frymë lirisht”.
Përveç këtij projektligji, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, me 76 vota pro dhe 27 kundër.
Ndërkohë, dy projektvendime të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore – për Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH) – u rrëzuan me votat e mazhorancës.
Po ashtu, Kuvendi zgjodhi Olta Rrushajn si anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, me 74 vota pro, 26 kundër dhe 3 abstenime.
Lini një Përgjigje