Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së për Shqipërinë, ka komentuar raportin mes politikës dhe SPAK.
Ai ka thënë se, sipas tij, dialogu dhe kritikat mes palëve nuk ndikojnë në procesin e integrimit. Megjithatë ai kundërshtoi sulmet, sipas tij, nuk mund të ketë intimidime dhe kërcënime ndaj njerëzve të drejtësisë.
“Ajo që është shqetësuese është kur diskursi kalon në sulme personale, sulme personale dhe të drejtpërdrejta kundër disa anëtarëve të gjyqësorit, sepse kjo ka një vlerë të ndryshme, në një farë mënyre. Është një mënyrë frikësimi, është një mënyrë për të ushtruar ndikim, është ndonjëherë një mënyrë për të minuar besueshmërinë e disa prej anëtarëve të gjyqësorit, dhe kjo është diçka që ne nuk e vlerësojmë pozitivisht, padyshim. Për ne, është sigurisht diçka që nuk duhet bërë. Por përsëri, një dialog konstruktiv që synon përmirësimin e performancës së sistemit të drejtësisë për ta bërë atë më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve, sepse, po flisja për SPAK-un, por sistemi i zakonshëm i drejtësisë vuan nga shumë vonesa, ngecje, qytetarët nuk e shohin vërtet drejtësinë, nuk kanë qasje në drejtësinë që meritojnë”, tha ai në "Euronews Albania".
I pyetur nëse ka informacione që përfaqësues të SPAK-ut mund të jenë kërcënuar, intimiduar, përtej fjalëve të hedhura në media, tha: “Jo, nuk do të përmend ndonjë kërcënim apo frikësim specifik. Në fakt, mendoj se ata kanë demonstruar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme përballë disa sulmeve, disa insinuatave, të cilat u drejtuan edhe kundër tyre. Pra, mendoj se ky është një sinjal pozitiv. Do të thotë se janë mjaftueshëm të sigurt, se janë të pavarur dhe se mund t’i rezistojnë këtyre lloj sulmesh”.
Lini një Përgjigje