
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se pastrimi i parave të pista është një fenomen i pranishëm në Shqipëri, duke e krahasuar situatën me vendet e tjera të Europës dhe botës.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe theksoi se nuk ka vend që nuk përballet me pastrim parash, duke përfshirë edhe shtete apo institucione me reputacion ndërkombëtar.
Ai përmendi si shembull edhe Vatikanin, i cili sipas tij ka qenë pjesë e listës gri për pastrimin e parave të pista.
“Unë nuk kam dëgjuar kënd që të thotë se në Shqipëri nuk pastrohen para të pista. Nëse del ndonjë që thotë se nuk pastrohen para të pista, duhet të jetë anormal. Sepse nuk ka vend në Europë dhe botë që nuk pastrohen para të pista”, u shpreh Braçe.
Deputeti socialist theksoi se, pavarësisht pranisë së fenomenit, institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprime konkrete. Sipas tij, Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka depozituar kallëzime në Prokurori për raste që lidhen me kompani apo individë të përfshirë në këtë aktivitet.
Ai theksoi gjithashtu se paratë e pista depërtojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë edhe ndërtimin.
Braçe kërkoi rritje të rolit mbikëqyrës të Parlamentit ndaj institucioneve që luftojnë pastrimin e parave, me synim forcimin e mekanizmave dhe reduktimin e fenomenit.
“Unë nuk kam dëgjuar kënd që të thotë se në Shqipëri nuk pastrohen para të pista. Nëse del ndonjë që thotë se nuk pastrohen para të pista, duhet të jetë anormal. Sepse nuk ka vend në Europë dhe botë që nuk pastrohen para të pista. Edhe Vatikani ishte në listën gri të pastrimit të parave të pista. Unë vazhdoj të them që ‘po në Shqipëri pastrohen para të pista, nga mëngjesi deri në mbrëmje’ dhe nuk e mohon dot kërkush këtë gjë. Por ama që ka akte të qarta të agjencive që ligji i ka ngarkuar të merren me këtë fenomen, po ka. Ka, siç ka Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave kallëzime në drejtim të organit të akuzës. Ka kallëzime të qarta për këtë fenomen, për kompani apo pronarë kompanish që merren me këtë gjë dhe që infiltrojnë edhe në sektorin e ndërtimit para të pista. A duhet të ushtrojë Parlamenti kontroll mbi këto institucione për ta forcuar këtë luftë? Po duhet ta forcojë”, tha Braçe.
Lini një Përgjigje