
Partia Socialiste ka rrëzuar në Kuvend dy kërkesa të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, përkatësisht për Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARSH) dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Kërkesa e përbashkët e Partisë së Lirisë dhe Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për ARSH u rrëzua me 75 vota kundër dhe 28 vota pro.
Në një votim të dytë, Partia Socialiste rrëzoi edhe kërkesën e Partisë Demokratike për komision hetimor parlamentar për AKSHI, me 76 vota kundër dhe 28 vota pro.
Dy votimet konfirmojnë qëndrimin e mazhorancës për të mos lejuar ngritjen e komisioneve hetimore mbi këto institucione, pavarësisht kërkesave të opozitës. Kjo u paralajmërua gjatë seancës plenare nga vetë PS-ja.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se PS-ja do të votojë kundër kësaj nisme, pasi sipas tij, kërkesa e opozitës është anti-kushtetuese. Balla tha se Kuvendi nuk mund të ndërmarrë hetime penale dhe se deputetët s’mund të jenë prokurorë e gjykatës.
“Në fakt ishte e mjaftueshme fjala e Blushit, për të kuptuar se nuk kemi të bëjmë me një kërkesë për një Komision Hetimor. Jemi jashtë parlamentarizmit, por po shkojmë në marrjen e kompetencave të autoriteteve të tjera. Në bindjen tonë, mbi të cilën motivojmë votimin kundër kësaj kërkese, kërkesa juaj bie ndesh zoti Blushi me nenin 77 që ju cituat dhe shoqëruar kjo me jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese shqiptare dhe praktikat kushtetuese të Parlamenteve të BE-së. Në disa vendime të GJK, e drejta e hetimit realizohet vetëm brenda funksionit të kontrollit parlamentar. S’mund të marrë Kuvendi hetim penal. S’janë deputetët prokurorë e as gjyqtarë”, tha mes të tjerash Balla.
Lini një Përgjigje