Pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e 8 majit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Në deklaratat e tij, Berisha tha se Rama ndodhet në një pozicion të dobësuar politikisht dhe se, sipas tij, nuk gëzon më të njëjtën mbështetje në arenën ndërkombëtare.
“Edi Rama, de facto është i gjunjëzuar dhe i poshtëruar. Ju garantoj për këtë. Edi Rama, që ta dinë shqiptarët, kudo që shkon, i tregojnë bërrylin. Kudo që shkon, i kthejnë shpinën. Kudo që shkon, sot ai është bërë gossip-i i Europës”, deklaroi Berisha.
Gjatë komunikimit virtual me qytetarët, lideri demokrat foli edhe për çështje që, sipas tij, kanë marrë vëmendje ndërkombëtare, ndërsa kritikoi gjithashtu një pjesë të medias, duke pretenduar se ajo ndikohet nga qeveria dhe se pronarët e mediave përfitojnë fonde publike në mënyrë të padrejtë.
Berisha u ndal edhe te protestat e opozitës, të cilat i cilësoi paqësore, ndërsa paralajmëroi vijimin e tyre dhe shtimin e presionit ndaj qeverisë.
“Nuk e ndërpresim kurrë protestën pa Edi Ramën para gjyqit. Atje ku e ka vendin. Ta dinë. Ne u themi haptazi, të bëjë çdo gjë, por asgjë në botë nuk na bën të tërhiqemi ne nga këto objektiva ndaj një qeverie që nuk ka asnjë legjitimitet”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje