
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kreun e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e akuzuar për mbështetje të qeverisë së Edi Ramës dhe qëndrime të njëanshme ndaj opozitës.
Në një deklaratë me tone të ashpra, Berisha u shpreh se Gonzato po sillet “sikur të ishte ambasadori i Edi Ramës”, ndërsa theksoi se ka përcjellë në Bruksel informacione të pavërteta për opozitën shqiptare.
“Për sa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur se ky sillet sikur të ishte ambasadori i Edi Ramës, pasi ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillime më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar edhe shumë të tjera", deklaroi Berisha.
"Dhe është përpjekur në shumë mënyra ta paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit, por ka dështuar. Eksponentë të rëndësishëm të BE-së ia kanë bërë të qartë se opozita dhe PD-ja janë thellësisht të pozicionuara për integrimin në BE dhe janë partnerët tanë, i është thënë shkëlqesisë së tij", shtoi ai.
Kryedemokrati akuzoi më tej Gonzaton se është “unifikuar” me kryeministrin Edi Rama dhe se ka tentuar ta paraqesë opozitën si jo pro integrimit europian.
"Ai ka bërë zgjedhjen e tij, është unifikuar me Edi Ramën dhe sa herë thoja unë ndonjë të vërtetë, bashkë me ndonjë lobist tjetër në KE, lëshojnë deklarata. Unë shqiptarëve dhe partnerëve evropianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, përfundoi Berisha.
Lini një Përgjigje